Të dashur nxënës, mësues e prindër!
Meqë të gjithë kemi emocione për vitin e ri shkollor, duhet po ashtu të mendojmë e të punojmë për një të ardhme të re.
Në kohët më të vështira, kur botës i dëshmuam se arma jonë më e shenjtë është edukimi, i bartëm nxënësit nga një lagje në tjetrën, nga një shkollë-shtëpi në tjetrën. E bëmë këtë sepse kjo ishte qëndresa që në mendjet tona skaliti maksimën se edukimi është themeli nga ku nis gjithçka. Sot, më të ndërgjegjshëm se kurrë, kuptojmë se nuk ishte mision i lehtë të edukosh në kohë krizash sociale e politike, ekonomike, morale e kulturore. Ndaj, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se puna vetëmohuese është rruga e vetme për përparim. Sepse, e sotmja dhe e nesërmja përkufizohen me edukim cilësor, me shkolla cilësore e me mësues të motivuar.
Ne duam që shkollat tona të depolitizohen, t’i mbajmë larg atyre që denigrojnë vlera e shkaktojnë kriza në shoqëri. Kemi nevojë për shkolla të reformuara e të demokratizuara.
Sot duhet të kujtojmë shumë fëmijë që pa fajin e tyre bankat e shkollës i zëvendësuan me trotuaret e rrugëve, duke mbetur në mëshirën e egër të varfërisë. Duhet të jemi solidarë e të bashkëndjejmë me të gjithë fëmijët njëlloj. Edhe për ata nxënës që sot nuk shtrënguan duart me shoqet e shokët e klasës, meqë për një jetë më të denjë mërguan e u shpërndanë në ç’do cep të botës.
Të dashur nxënës, mësues e prindër!
Le ta nisim rrugëtimin më të ri për sendërtimin e një shoqërie me vlera; një shoqëri ku injoranca e padituria nuk zënë vend; një shoqëri ku garën e bëjnë të diturit e fituesin meritorët; një shoqëri ku suksesin e përcaktojnë të mençurit e jo të pasurit. Le ta nisim këtë rrugëtim drejt një shoqërie, ku të shpallesh fitues do të thotë t’i shpallësh luftë manipulimit e mashtrimit.
Platoni shkruan: ”Qasja me të cilin njeriu e nis edukimin, e përcakton jetën e tij të ardhshme”. Ndaj, le ta nisim këtë rrugëtim të përbashkët duke besuar e shpresuar në një edukim të suksesshëm që na shtynë drejt prosperitetit dhe virtyteve e vlerave që ngrenë lartë dinjitetin njerëzor.