Urimeve të shumta dhe fjalëve të mëdha dedikuar ekipës së filmit “Shok” dhe pjesëmarrjes për herë të parë të Kosovës në Akademinë më të madhe të filmit, iu bashkangjit edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook” ka treguar se mëngjesi e ka zbardhur në një nga lokalet e Prishtinës ku së bashku me ambasadorin britanik përcollën “Oscarin”, transmeton Telegrafi.
“Dëshmuam edhe një herë se kur na jepet mundësia kemi shumë për të ofruar. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për kinematografinë kosovare dhe artistët kosovarë”, ka shkruar mes tjerash presidentja.
“Në orët e hershme të mëngjesit, së bashku me Ambasadorin britanik dhe shumë të rinj të Kosovës, në njërin nga lokalet e kryeqytetit përcollëm ceremoninë e ndarjes së çmimit Oscar. Duke ju falënderuar një ekipi të përkushtuar e të talentuar që në një skenë të tillë dërgoi rrëfimin tonë përmes filmit Shok, për herë të parë në jetën tonë u bëmë pjesë e kësaj ngjarje me jehonë globale. Kishim rrëfim për të ndarë me të tjerët, një vlerë të veçantë për të kontribuar, një ëndërr për ta realizuar. Dëshmuam edhe një herë se kur na jepet mundësia kemi shumë për të ofruar.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për kinematografinë kosovare dhe artistët kosovarë. Ju përgëzoj për arritjet e deritashme si komunitet dhe duke qenë dëshmitare e ngazëllimit dhe vullnetit tuaj e di që nuk është larg dita kur do ta sjellim Oscarin në Kosovë.
“Shok” është fituesi ynë”.