Site icon Telegrafi

Për shkak të vozitjes në gjendje të dehur, Hugo Lloris merr gjobë të madhe dhe i pezullohet leja për 20 muaj

Hugo Lloris (Foto: Twitter/ITV News)

Portieri francez, Hugo Lloris, nuk do të mundë të vozisë në 20 muajt e ardhshëm dhe është gjobitur me 50.000 funte (56.090 euro) për vozitje në gjendje të dehur.

Të mërkurën, futbollisti i Tottenham Hotspur është paraqitur në gjykatën Westminster Magistrates, ku është deklaruar fajtor.

31-vjeçari ishte ndalur nga policia më muajin gusht, teksa drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit.

Në testin e alkoolit, ai kishte pasur 80 mikrogramë alkool në 100 mililitra ajër, dy herë më shumë se limiti i lejuar në Angli dhe Uells.

Lexo po ashtu Lajmet për Hugo Lloris

Njëherësh me Porsche Panameran e tij, Lloris kishte kaluar në të kuqe para se të ndalej nga policia.

Në veturë kishte pasur edhe të vjella, ndërsa portieri kishte dalë nga vetura me ndihmën e policëve.

Avokati i tij mbrojtës, David Sonn, ka thënë se Lloris kishte darkuar në një restorant, ku i kishte pirë edhe disa gota me miqtë.

Policia e kishte arrestuar dhe e ka mbajtur në stacion deri të nesërmen, ndërsa Hugo ka lëshuar më herët një komunikatë duke kërkuar falje për veprimin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version