Telegrafi

Për shkak të reshjeve shpërthejnë ujërat e zeza në fshatin Bardhosh, banorët thonë se Komuna nuk po reagon (Video)

Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë krijuar probleme nëpër rrugët e kryeqytetit dhe fshatrave përreth.

Një banor i fshatit Bardhosh, në Komunën e Prishtinës, e ka dërguar një video ku shihet se si njërën prej rrugëve,  si pasojë e reshjeve të shiut e kanë mbuluar  ujërat e zeza.

“Si rezultat i daljes se ujërave të zeza nga pusetat vërshohen rrugët. Sa herë bie shi ndodhë e njëjta gjë, sado të jetë sasia e shiut”, ka theksuar ky banor.

Sipas tij, një numër shtëpish dhe bizneseve përmbyten nga ujërat e zeza në vazhdimësi, kurse ata si banorë po ballafaqohen me kundërmimin e madh të këtyre ujërave.

“Kemi bërë ankesa të vazhdueshme në komunë, ndërsa ata bëhen se nuk janë në dijeni të këtij problemi. Ujësjellësi që është i obliguar ta mirëmbajë rrjetin e kanalizimit nuk po bëjnë gjë, përveç një pastrimi sipërfaqësor që nuk ndihmon fare, meqë problemi nuk është tek pastrimi por tek rrjeti i dobët i instaluar i kanalizimit”, ka shtuar ai. /Telegrafi/