Site icon Telegrafi

Për shkak të problemeve shëndetësore, Mijallkov nuk paraqitet në seancën për rastin “Thesari”

Ish-shefi i policisë sekrete  Sasho Mijallkov, nuk u paraqit në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Thesari”, me arsyetimin se ka probleme shëndetësore. Avokati i tij, Ljupço Shvrgovski dorëzoi një raport mjekësor të klientit të tij dhe tha se ai nuk ndjehej mirë, për këtë arsye edhe mungon në seancën e sotme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ka të vjella, ka probleme me lukthin. Unë nuk jam mjek, ja raporti”, tha Shvrgovski.

Prokurorët, Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro, nuk kërkuan shqyrtimin e raportit mjekësor.

Gjykatësja Xheneta Begoviç tha se i akuzuari ishte thirrur sipas rregullores. Ajo citoi se Mijallkovi ka paraqitur vërtetim mjekësor ku shihet se ai ka marrë pushim mjekësor të hapur deri më 25 shtator. Begoviç lexoi edhe diagnozat e Mijalkovit në latinisht. Ai duhet të bëjë një kontroll javën tjetër.

Siç thuhet në një pjesë të raportit të lexuar nga gjykatësja, Mijalkov ka pasur të vjella, temperaturë të lartë të trupore dhe herni.

Në rastin “Thesari” i akuzuar i parë është ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallokov, ish-shefi i kabinetit të tij Toni Jakimovski, ish-ndihmës ministri në MPB Nebojsha Stajkoviq dhe ish-shefi i Drejtorisë së Pestë në MPB Goran Grujevski.

Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar dhe është shkaktuar dëm në Buxhet në vlerë prej 862.045 euro për furnizimin e pajisjeve të elektro-komunikimit për nevojat e Drejtorisë së Pestë pranë DSK dhe trajnim për shfrytëzimin e firmës nga Britania e Madhe./Telegrafi/

Exit mobile version