Telegrafi

Për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, Vuçiq nuk mori pjesë – ndërsa Dodik shpjegon arsyen e largimit nga ceremonia në ‘Minsk 2019’

(Foto: Facebook/Kosovo National Olympic Committee)

Milorad Dodik, anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, u largua nga ceremonia hapëse e Lojërave të dyta Evropiane ‘Minsk 2019’ në momentin e parakalimit të sportistëve të Kosovës.

Ai është larguar teksa sportistët tanë e bartnin flamurin e Kosovës dhe parakalonin me krenari, për t’u kthyer më pas. Ndërsa, ai e ka sqaruar veprimin e tij në një prononcim për ATV.

Lexo po ashtu Dodik u largua nga ceremonia gjatë parakalimit të sportistëve të Kosovës në 'Minsk 2019'

“Kur e pashë se po del Kosova… u çova dhe u largova nga lozha. Kur ata kaluan dhe u zhdukën nga shikimi, u ktheva sërish, ndërsa kur parakaloi, e përshëndeta përfaqësuesen e BeH, ndërsa kur parakaloi përfaqësuesja e Serbisë, po ashtu i përshëndeta, u çova, i përshëndeta dhe e konsideroj këtë tërësisht normale”, citohet të ketë thënë Dodik.

Nga ana tjetër, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në këto lojëra sportive, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq (që ndodhej në Bjellorusi), nuk mori pjesë në ceremoninë hapëse.

Dodik ka thënë se kupton veprimin e Vuçiqit dhe ka thënë se ishte larguar në momentin e parakalimit të sportistëve tanë, sepse sipas tij, sportistët e Kosovës nuk e kishin vendin atje. /Telegrafi/