Telegrafi

Për shkak të përhapjes së zjarrit, evakuohet festivali në Kroaci ku Tyga ishte ylli kryesor

(Foto: Getty Images/Guliver/Twitter)

Një festival muzikor në Kroaci është evakuuar, për shkak të përhapjes së zjarrit. Qindra njerëz u detyruan të largoheshin nga Festivali ‘Fresh Island’ në plazhin Zrce mbrëmjen e të hënës, në ditën e parë të evenimentit treditor të muzikës hip-hop.

Zjarri shkaktoi mbylljen e rrugës drejt qytetit më të afërt, Novalja, duke ua pamundësuar njerëzve që të ktheheshin në hotelet e tyre.

“Fatmirësisht, policia është duke i shoqëruar autobusët për të mbledhur fansat e mbetur”, kanë thënë organizatorët.

Reperët Stefflon Don dhe Yxng Bane ishin ndër yjet që duhej të performonin në festivalin, ku ylli kryesor ishte Tyga.

Është e paqartë nëse do të anulohet i gjithë festivali apo do të vazhdojë, ndërkohë që përmes një komunikate, organizatorët kanë thënë se po bëjnë gjithçka që gjërat të zhvillohen ashtu siç ishin planifikuar.

Reperi britanik NOT3S i kishte njoftuar fansat e tij përmes Twitterit se ndodhej në prapaskenë, porse i kishin thënë se nuk mund të performonte. /Telegrafi/