Në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, “Dr.Sami Haxhibeqiri”, të martën nuk janë kryer të gjitha intervenimet (operacionet) tek pacientët e shtruar, kjo për shkak të mungesës së ujit.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, Luljeta Zhubi.
Sipas saj, sot (e mërkurë) do të kompensohen të gjitha intervenimet e planifikuara në këtë spital.
“Për shkak të mungesës së furnizimit me ujë, të martën janë kryer disa operacione, por jo të gjitha që kanë qenë të planifikuara. Por, sot e tutje kompensohen ato intervenime”, ka thënë Zhubi.
Ndërkaq, në faqen zyrtare të kompanisë Rajonale Ujësjellësi “KRU Mitrovica”, ishte bërë e ditur se kjo kompani ishte ballafaquar me disa probleme teknike të cilat kishin ardhur si pasojë e shfaqjes së defekteve në stabilimentet e Impiantit për Trajtimin e ujit në Shipol dhe njëkohësisht edhe çrregullimin e furnizimit me ujë të pijes, e cila tashmë është rregulluar.
Ndryshe, rajoni i Mitrovicës që furnizohet me ujë nga kjo kompani është përballur disa ditë me ndërprerje të ujit, e cila gjë ka bërë që shumë qytetarë të frustrohen nga kjo gjendje. /Telegrafi/