Në Japoni ka filluar t’i kaplojë qytetarët frika rreth sulmeve bërthamore që mund t’i kryej Koreja e Veriut, dhe kështu janë duke u rritur kërkesat në masë të madhe për ndërtimin dhe shitjen e strehimoreve bërthamore.
Kompania Oribe Seiki Seisakusho merret me prodhimin e strehimoreve në rast të ndonjë sulmi bërthamor. Vetëm gjatë këtij viti kërkesat për ndërtimin e strehimoreve janë rritur për 38 herë më shumë, transmeton Telegrafi.
“Blerësit janë të frikësuar nga raketat e Koresë së Veriut që së fundmi i ka testuar, dhe rreth idesë për ndonjë sulmi potencial, qoftë ai bërthamor apo kimik. Të gjithë janë duke folur sepse janë të frikësuar, pasi që nuk e dinë se si do të reagojnë vendet tjera lidhur me këtë sulm”, ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e Oribe Seiki Sisakusho, Nobuko Oribe.
Strehimoret që i ndërton Oribe janë nëntokësore, të përforcuara me çelik dhe të mbrojtura nga ajri i kontaminuar. Gjithashtu, kanë mjete bllokuese që ndalojnë rrezatimin dhe gazrat helmuese të depërtojnë brenda strehimoreve.
Për fat të keq, strehimoret bërthamore nuk janë të lira. Një strehimore për 13 persona kushton 230 mijë dollarë, kurse këtij çmimi duhet shtuar edhe 15 mijë dollarë për pajisje tjera shtesë.
Frika që është duke mbizotëruar në Japoni është e arsyeshme, për faktin se Japonia është vendi i vetëm në histori që ka përjetuar bombardimin bërthamor gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku ushtria amerikane lëshoj bombat në Hiroshimë dhe Nagasaki. /Telegrafi/