Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës t’i kthehet punës në këtë situatë kur po flitet për ndarje të Kosovës dhe shkëmbime territoresh. Po ashtu kjo parti ka kërkuar që rezoluta e propozuar nga ta të votohet sa më parë.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti është shprehur i habitur si Kuvendi ka shkuar në pushim -duke thënë se në gusht dhe në shtator priten të ndodhin zhvillime të mëdha.
Kreu i PSD-së ka folur edhe për rezolutën që është në fuqi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri tha se takimet e presidentit Thaçi me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç janë private, raporton KP.
“Ato që janë folur në takime formale e qoftë edhe në takime sekrete dhe të fshehta nga në këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk vlejnë dhe as nuk janë obligime të Republikës së Kosovës sepse janë folur edhe janë zotuar nëse janë zotuar nga një person i cili nuk e ka mandatin, e as autorizimin nga Kuvendi për të bërë një gjë të tillë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës sa më shpejt ta bëjë një deklarim të tillë në të cilin diskutimet e deri tashme i anulon, pra i shpall të pavlefshme për Republikën e Kosovës sepse nëse ne e vazhdojmë si Kuvend i Republikës me pushime në këtë kohë kur është intensifikuar jashtëzakonisht shumë edhe diskutimi për dialogun e qe besa edhe takimet në këtë fazë të dialogut, atëherë praktikisht edhe Kuvendi edhe Republika e Kosovës në përgjithësi mund të vendoset para një akti të kryer”, tha Ymeri.