Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji ka marrë vendim që për shkak të gjendjes së rëndë që është krijuar ditët e fundit në vendin tonë, meshat do të kremtohen pa pjesëmarrje të besimtarëve.
Në një postim të Katedrales së Kosovës në Facebook thuhet se ipeshkvi Dodë Gjergji ka njoftuar meshtarët përmes një letre dërguar atyre.
“Në Famullinë e Prishtinës do të ketë vetëm një meshë, që do të kremtohet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në orën 11:00, në të cilën ju ftoj të na bashkoheni në LIVE- Streaming në FB të Katedrales dhe drejtpërdrejt në Radio Maria Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, numri i rasteve fatale me COVID-19 në tre ditët e fundit ka shënuar rritje në Kosovë me gjithsej 41 persona të vdekur.