Telegrafi

Për shkak të coronavirusit ndalohet hyrja e shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Kroacia në Serbi

Në pajtim me masat e miratuara dje të Qeverisë serbe për ndalesë për hyrje të shtetasve të huaj të cilët vijnë nga
vatrat e virusit Covid-19, nga vendkalimi “Batrovci” në kufirin e Serbisë me Kroacinë sot janë kthyer rreth njëzet automjete me rreth 50 udhëtarë, mes të cilëve shumica shtetas nga Maqedonia e Veriut të cilët punojnë në pjesën
veriore të Italisë.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, masat e reja nuk zbatohen vetëm në komunikacionin rrugor, por edhe në atë ngarkues, për ç’shkak nga vendkalimet kufitare janë kthyer edhe disa kamionë.

Shërbimet kufitare serbe e kanë pajisjen e nevojshme mbrojtëse – dorëza, maska dhe mjete dezinfektimi, ndërkaq sipas nevojës përdorin edhe kostume mbrojtëse.

Shtetasit serbë të cilët vijnë nga Italia iu nënshtrohen të gjitha masave mbrojtëse, si edhe udhëtarët e tjerë. Pas kontrollit të inspeksionit sanitar, deri më tani nuk ka pasur nevojë të ndërmerren masa shtesë për mbikëqyrje.

Prej dje, në Serbi përkohësisht janë anuluar fluturimet nga vendet të cilat janë
vatra të virusit, mes të cilave Italia dhe Zvicra.

Kur bëhet fjalë për aeroportet, shtetasit e huaj të cilët vijnë nga shtetet – vatra të conavirusit, nuk mund ta kalojnë kontrollin kufitar, siç ishte rasti dje, kur nga aeroporti i Nishit u kthyen të gjithë shtetasit e huaj të cilët arritën në Serbi nga qyteti italian Bergamo, përderisa qytetarët serbë u nisën në vetëizolim shtëpiak.