Si paralajmërim për shkak të borxheve të papaguara, operatori i telekomunikimeve i ka ndërprerë telefonat e prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe të punësuarve tjerë në Prokurorinë Speciale.
Informacionin e kanë konfirmuar të punësuarit, të cilët thanë se kjo është logjike duke pasur parasysh borxhet prej tre muajve. Lidhjet telefonike kanë qasje vetëm në një drejtim, si paralajmërim para ndërprerjes së plotë të tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Përveç telefonëve, të punësuarit frikësohen se fakturat e papaguara të energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes, për muajt shtator, tetor dhe nëntor, mund ta lënë institucionin pa kushte elementare për punë.
Qindra të punësuar, mes të cilëve edhe bashkëpunëtorë profesional dhe personeli ndihmës, nuk kanë marrë pagë për muajin shtator dhe tetor, ndërsa nga ky muaj e kanë humbur edhe të drejtën për sigurim shëndetësor.
Në ndërtesën e PSP-së akoma ruhen “bombat” dhe lëndët që i hapi kjo Prokurori./Telegrafi/