Telegrafi

Për regjistrim falas shqiptarët duhet të shkojnë deri në Veles

Kadastra këtë vit do të bëjë regjistrim falas të të drejtave për pronësi të patundshmërive në 29 komuna të reja kadastrale në mjediset rurale, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Drejtori i Agjencisë për kadastër dhe patundshmëri, Slavçe Trpeski, sot apelon që të gjithë qytetarët dhe personat juridik të cilët posedojnë pronë në komunat kadastrale të përfshira me programin, të dorëzojnë aplikacion deri te njësia kompetente dhe të ofrojnë dokumentacion adekuat për ta dëshmuar të drejtën për pronësi, siç janë aktvendime, marrëveshje, akte të organeve shtetërore, vendime për trashëgimi, fletë-pronësi. Pas kësaj, Kadastra do të bëjë regjistrim falas të të drejtave për pronësi, thekson ai.

Ai potencon se nëse qytetarët nuk paraqiten, kadastra do të bëjë përpjekje ti identifikojë dhe do ti regjistrojë të drejtat për pronësi, por nuk mund të garantojë se të njëjtat do të regjistrohen saktë, thekson Trpeski.

Me programin e miratuar për këtë vit është paraparë që njësia kadastrale në Veles të bëjë regjistrim falas të të drejtave pronësore për këto komuna kadastrale: Vranovcë e epërme, Jabolçisht i poshtëm, Tetovë, Oreshë, Nezhilovë, Buslicë, Papradishtë dhe Podles, Njësia e Gostivarit do ti regjistrojë të drejtat për këto komuna: Zubovcë, Jellovcë e epërme, Pozharan, Gallatë dhe Nova Sellë 2.  Njësiti në Kumanovë do ti regjistrojë të drejtat për komunat kadastrale Pelincë dhe Dllaboçicë, në Makedonski brod janë pvrfshirë komunat Krapa dhe Volçe, në Radovish: Përnalija, Shipkovica, Kozunbar, Koxhalija dhe Shturovë, ndërsa në njësitin e Shtipit: Ebepli, Gaber i madh dhe Gaber i vogël.

Në Maqedoni ka gjithsej 4.047.000 parcela kadastrale, ndërsa 9,9 për qind janë me të drejta të papërcaktuara të pronësisë.

Së bashku me programin e sivjetmë deri më tani janë përfshirë 133 komuna kadastrale, ndërsa me programin e ardhshëm duhet të përfshihen edhe 72 komunat e mbetura./Telegrafi/