Katër persona me nevoja të veçanta janë të punësuar në Komunën e Malishevës. Kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, ndër të tjerash tha se do të vazhdoj edhe më tutje që të inkuadroj në institucione publike këtë kategori.
Ditën e fillojnë duke përshëndetur njëri tjetrin.
Patriot Paçarizi, cili është me nevoja të veçanta, ka dy muaj që ka filluar punën në Komunën e Malishevës. Ai është shumë i lumtur që i është dhënë një mundësi e tillë, dhe se pas përfundimit të studimeve nuk i ka rënë të pres gjatë.
“Unë në Komunën e Malishevës punoj si administrator për tatimin në pronë. Kam një përkrahje të jashtëzakonshme”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Patriot Paçarizi.
Një mundësi e tillë i është dhënë edhe Arben Krasniqit para 1 viti e gjysmë. Ai thotë se është ambientuar mjaft mirë me kolegët saqë e ndjen veten si në shtëpi.
“Për fillim më kanë ndihmuar t’i mësoj si shkojnë gjërat në zyrën e pritjes, protokollimet, vërtetimet e dokumenteve. Për çdo gjë më kanë qëndruar afër dhe gjithmonë i kam përkrahës”, deklaroi Arben Krasniqi.
Patrioti dhe Arbeni u bëjnë apel të gjitha komunave tjera që t’i inkuadrojnë personat me nevoja të veçanta në institucionet publike.
Mirëpo këta të fundit nuk janë të vetmit që janë të punësuar në kuadër të komunës së Malishevës bën të ditur kryetari i kësaj komune Ragip Begaj.
“Duke parë nevojën për punë shtesë për shërbimet komunale, jemi organizuar t’i punësojmë disa njerëz me nevoja të veçanta për një kohë të caktuar. Kohët i fundit i kemi punësuar katër nga ata”, deklaroi Ragip Begaj.
Begaj shtoi se do të vazhdoj edhe më tutje të punësoj persona të kësaj kategorie, ndërkaq shton se nuk ka bërë ndasi gjinore as tek kjo e fundit./RTV Dukagjini/Telegrafi/