Ish-Koordinatori Nacional për dialog dhe zyrtari i LDK-së, Skënder Hyseni, ka reaguar pas protestës së sotme të PSD-së kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike
Hyseni, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është një protestë kundër mashtrimit dhe manipulimit.
Protesta e PSD-së sot është, mbase një nga protestat e rralla për një kauzë reale, tokësore, në interes të qytetarit të Kosovës. Protestë kundër mashtrimit dhe manipulimit!”
“Në të njejtën kohë, kjo protestë shpërfaqi lakuriq mjerimin e opozitës parlamentare të Kosovës”.
Ai e ka kritikuar opozitën duke e quajtur “opozitë kalkulante, pothuaj inekzistente.
“Opozitë, larg halleve dhe interesave qytetare!”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.
Sot në Prishtinë është mbajtur një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, e organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD).
Me mbishkrimet, ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr” dhe thirrjet “Populli i bashkuar ka për të fituar”, qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë.
Protestuesit janë nisur nga sheshi Zahir Pajaziti drejt objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se propozimi i ZRRE-së duhet të kthehet mbrapa, pasi në të kundërtën do të ketë protesta çdo ditë.
Aktivistët e PSD-së, në shenjë revolte, kanë hedhur qirinj dhe poçe elektrike në drejtim të Qeverisë. /Telegrafi/