Ministria e Bujqësisë me implementimin e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014, ka arritur të krijojë lehtësira për shumë fermerë dhe agrobiznese vendore, si dhe përmes masave mbështetëse ka mundësuar edhe aplikimin e standardeve evropiane në prodhimtarinë bujqësore.
Për implementimin e këtij programi dhe progresin e arritur në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2014, si dhe shumë çështje tjera që ndërlidhen me këtë sektor, një delegacion i MBPZhR-së, i udhëhequr nga sekretari Kapllan Halimi, janë duke raportuar në takimin vjetor të DPSA-së në Bruksel.
Në këtë takim sektorial për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, raportohet lidhur me zhvillimet në sektorët, të cilët kanë dalë si sfidë nga Raporti i Progresit 2014 për Kosovën, me ç’rast sekretari Halimi ka prezantuar edhe një raport për progresin e arritur brenda një viti në sektorin e bujqësisë në Kosovë.
“Në kuadër të mbledhjes sektoriale, delegacioni ynë ka diskutuar në hollësi me zyrtarët e Komisionit Evropian, mbi prioritetet dhe aktivitetet konkrete në kuadër të sektorit të bujqësisë, gjë që do të mundësojë që KE-ja në të ardhmen të na ofrojë udhëzime e këshilla mbi reformat strukturore që janë në përputhje me normat dhe standardet e BE-së”, ka thënë Halimi.
Ndryshe, në fund këtij takimi, KE-ja nxjerrë konkluzione për secilën fushë që raportohet, duke paraparë edhe periudhën kohore për përmbushjen e tyre. /Telegrafi/