Telegrafi

Për prodhime konkurrente në tregun rajonal kërkohet zbatimi i direktivave të Bashkimit Evropian

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke plotësuar kornizën legjislative për prodhimet industriale, në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian për zbatimin e direktivave të qasjes së re dhe asaj të vjetër. Kjo me qëllim që të nxirren në treg prodhime sa më cilësore industriale, tha Sefer Tasholli, këshilltar i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

“Një nga kërkesat e planit të veprimit të partneritetit evropian është që fushën e legjislacionit teknik ta zhvillojë sipas qasjes së re”, tha Tasholli.

MTI-ja tashmë iu ka dhënë leje disa laboratorëve testues për vlerësimin e konformitetit të cilësisë së akreditimit pranë Agjencisë për standardizim dhe akreditim. Por në vend të shenjës CE, që është shenjë e konformitetit evropian, do të nxjerrin shenjën KK, shenjë për konformitetin kosovar.

Ky projekt ka të bëjë me metrologjinë, standardizimin, çështjet teknike dhe cilësinë e produkteve dhe menaxhohet nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian. Qëllimi i tij është të promovojë adaptimin e standardeve teknike evropiane dhe rregullave teknike në Kosovë, u shpreh përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Rita Ruhonen.

“Kjo do të krijojë një mjedis ku produktet kosovare janë konkurruese dhe të njohura nga të gjithë partnerët tregtarë evropianë. Sidoqoftë, ky është një aktivitet afatgjatë, dhe realizimi i tij do të ofrojë edhe siguri më të madhe për konsumatorët sikurse fqinjët evropianë”, ka thënë Rohunen.

Udhëheqësi i projektit, Riçard Vitli, foli për rolin e infrastrukturës në implementimin efektiv të rregulloreve të bazuara në direktivat e qasjes së re të BE-së. Ai theksoi se përmes projektit synojnë të krijojnë një ambient, në të cilin produktet e Kosovës do të jenë konkurruese me ato të partnerëve tjerë tregtarë dhe të BE-së, të lehtësojnë tregtinë në tregjet rajonale dhe tregun e brendshëm të BE-së si dhe të përmirësojnë cilësinë dhe sigurinë e produkteve./rtk/