Nuk do të bëj kurrfarë përpjekje që ta bind këdoqoftë që kjo kolumne ka qenë krejtësisht e paplanifikuar dhe në asnjë mënyrë nuk korrespondon me atë që do të ndodhë sot (e mërkurë) në Prizren. Por, nuk po mund ta ndaj me ju të qeshurën që më shkaktoi kërkesa e shefit, Besnikut, që bash sot të shkruaj kolumne. Fjalët “shkruaj kolumne”, tek unë tingëlluan si “shkruaj diçka për Ramadanin”.ïŠ
Me demek (për t`iu kthyer prizrenalizmës), Ramadan Muja tashmë edhe zyrtarisht është i dënuar, për diçka që është ditur hiq më pak se para nja dy vjetësh nga një shkrim i dy kolegëve të mi.
Me demek, profesorit iu vërtetua ajo që ia thoshim ne, “naivët”.
Mora vesh nga burimi im më i besueshëm në Prizren (Nol Elshani), se profesori të nesërmen e dënimit me sabah ka qëndruar në oborrin e shtëpisë ku ka pirë kafe turke. S`ka nevojë për panik. Nuk ka pasë kurrfarë misioni vëzhgues Noli, por i ka rënë të kalojë kah shtëpia e profesorit dhe e ka parë.
Me demek kryetari në ikje sërish e ka rrëkënyer filxhanin dhe ka qitë fall. Për çudi thuhet se duqi i kafesë që i grumbullohej në një qoshe të filxhanit prej kur ka nisur të përballet me gjykatë, nuk i është larguar as pas ditës kur vlerësohej se tashmë e kishte marrë vendimin që e tmerroi sa herë i shkonte ndërmend. Duqi kishte mbetur aty edhe një ditë pas dënimit. Veçse këtë herë, grumbulli i kafesë ka filluar me marrë formë. Prej një këndi të filxhanit, në grumbull dukeshin shumë koka njerëzish, drejtimin e kishin bash drejt Ramadanit.
Nuk e di se në cilën qoshe të filxhanit e ka pa lajmëtarin që ia ka dhënë idenë e pezullimit të detyrës, por ideja mund të ketë pasur çfarëdo qëllimi tjetër pos të mirës së vetë Ramadan Mujës. Propozimi për të bërë një veprim që nuk ka bazë ligjore, është ftesë për të vepruar pa ligj. Tash dallimi mes veprimit pa bazë ligjore dhe një veprimi që e shkel një ligj është tepër i hollë. Është më i hollë se akrepat e asaj orës pa shije të vendosur afër Urës së Arastës që veç çmenduria infrastrukturore e qeverisjes Muja ka mundur ta lejojë.
Me demek edhe unë po e përfundoj përshkrimin e Mujës me filxhan dhe kafe. Ndoshta shpesh e kam tepruar por mënyra e qeverisjes së tij, shugurimi nga i fuqishmi i Turqisë Erdogan, lidhjet e tij me shefin dhe gjithçka tjetër, sa herë që kam shkruar, më kanë përngjarë me punonjësin e “Pallatit të Ëndrrave” të Kadaresë. Ajo që përfaqëson Muja është shumë e ngjashme me përpjekjet e punonjësit vasal të sulltanit që, nëse jo nëpërmjet fallit, atëherë mundohet ta parashikojë të ardhmen nëpërmjet ëndrrave.
Asnjëra prej partive politike aktuale politike në Prizren nuk e do Ramadan Mujën (pos PDK-së), por asnjëra nuk e do largimin e tij të menjëhershëm. Arsyeja është e thjeshtë. Asnjëra prej subjekteve politike në Prizren nuk është gati për zgjedhje të shpejta. LDK atje është pikë e pesë, VV ka nisur një proces të rikonstruktimit, derisa AAK ka humbur adresë, duke mos e ditur as nëse nënkryetari aktual i komunës, i ardhur nga LDD, vazhdon të jetë pjesë e partisë së Haradinajt. Nuk është gati as BD e Zafir Berishës, sepse ende nuk e ka të qartë nëse në zgjedhje lokale i duhet të konkurrojë bashkë me “Nismën” e Limajt.
Kjo situatë e të gjitha subjekteve politike e bën lëvizjen që po kërkon largimin e Mujës, të pastër. Kjo e shemb teorinë e zakonshme që prapa një lëvizje qëndron opozita. Në fakt, tash një grup qytetarësh po e lëvizin politikën, përfshirë opozitën.
Partia që në asnjë mënyrë nuk mund t`i paramendojë zgjedhjet në këtë kohë, është pikërisht PDK-ja. Jo për shkak të partive konkurrente që nuk janë kurrkah, por për shkak të Nismës që i ka hyrë shpatë elektoratit të kësaj partie në qytetin jugor. Në rrethanën kur PDK nuk do ta qeveriste edhe Prizrenin, atëherë i bie që partia e Thaçit të mos ketë nën qeverisje asnjë qendër të madhe, dhe të bëhet rikthimi i kësaj partie në regjionin e origjinës në Drenicë. Prizreni nuk është vetëm Jerusalemi i PDK-së dhe i Thaçit, por edhe “thembra e Akilit” të kësaj partie.
Rëndësia që mund ta ketë Prizreni për PDK-në nuk e ndal nevojën që Ramadan Muja të largohet nga kreu i qeverisjes. Muja duhet të shkojë, sepse është e padurueshme mosqytetaria dhe rebelimi karshi dënimit të shqiptuar nga gjykata në një qytet me aq shumë krenari qytetare sa Prizreni.
Sepse porosinë më të mirë për profesorin e dha bashkëmoshatari i tij, axha Mehmet Hoxha. “E ka edhe moshën me shku në shtëpi, nuk e di pse po bën kaq zhurmë”, tha axha Mehmet.
(Autori është Redaktor Përgjegjës në gaztën Tribuna)