Eksponentët e disa partive politike vazhdojnë të shpalosin programet e tyre politike dhe ekonomike, përmes të cilave premtojnë ‘Epokën e Artë’. Këta eksponentë kujdesen shumë që këtë epokë ta ndërlidhin më kualitetet e liderëve të tyre. I përshkruajnë ata si politikanë të pajisur me njohuri hyjnore, që janë personifikim i ‘virtytit’, i ‘përsosmërisë’, i drejtësisë dhe barazisë mes njerëzve. Atributet e udhëheqësve politikë duken të jenë të ngjashme me ato që grekët e lashtë ia atribuonin hyjnisë Kroni (Kronos) që solli ‘Epokën e Artë’ ku njerëzit nuk bënin gjë pos sefasë.
Ata që e kanë lexuar librin e Platonit, ‘Politika’, u kujtohet tregimi për Kronin që përmbysi të atin për të qeverisur një botë ku nuk kishte dhunë midis njerëzve – as luftë, as hajdutëri, as vjedhje, as gllabërim të njëri-tjetrit. Jeta e njerëzve ishte spontane, sepse Kroni sundonte mbi njeriun. Nën sundimin e tij, toka prodhonte gjëra të mjaftueshme. Madje edhe njerëzit lindnin nga toka. Moti gjatë stinëve ishte i butë dhe njerëzit nuk kishim përse të mendonin për veshje e madje e as për shtretër. Ata jetuan të lumtur në ajër të hapur.
Natyrisht, ky është një tregim dhe interpretim idealist i Platonit mbi atë se si duhet të rregullohet shoqëria dhe shteti. Mirëpo, në të njëjtin libër Platoni përshkruan edhe gjendjen e vërtetë në Athinë, që karakterizohej nga një degjenerim pothuajse total. Degjenerimi moral dhe politik nuk kishte ardhur nga qielli, ex-nihilo, por kishte adresë. Ishin pasardhësit e Zeusit ata që e kishin krijuar këtë gjendje. Për pushtet, Zeusi përmbysë të atin e tij, Kronin.
Ky përshkrim i realitetit politik në Athinën antike ka ngjashmëri me realitetin tonë kosovar dhe më gjerë. Duhet të jesh i verbër nga sytë dhe nga mendja të mos e kuptosh dhe të ndjesh se po jetojmë në kohën e shthurjes së thellë morale dhe politike. Këtë shthurje nuk na kanë sjell armiqtë tanë të jashtëm. Adresa është brenda.
Është e pakuptimtë, për të mos thënë e turpshme, se si përkundër kësaj gjendjeje, shumë politikanë, prapë e kërkojnë votën për të sunduar. Madje shkojnë aq larg sa të premtojnë edhe përkushtim dhe luftë kundër korrupsionit, ndërtim të shtetit ligjor. Propagandë e ndyrë që lëndon inteligjencën normale njerëzore. Një mendje e shëndosh e di mirë se fjala është për premtime që vijnë nga politikanët hipokritë dhe gënjeshtarë që kanë kapur shtetin dhe nuk duan ta lëshojnë. Kemi të bëjmë me një grup desperadosh politikë që natën bëjnë të zezën e ditën kinse të bardhën.
Platoni, për ndryshim nga filozofët para tij (si Herakliti) që besonin se korrupsioni, degjenerimi dhe shthurja janë ligje të pandryshuara, besonte se këto ‘ligje’ mund të ndalen. Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit me vullnet të fortë dhe fuqi të madhe të mendjes/arsyes.
Por, në tregun politik të Kosovës, vazhdojnë të kalërojnë politikanë dhe intelektualë të paaftë, me shumë pak ekspertizë profesionale; njerëz të padijshëm dhe pa principe njerëzore. Për fat të keq, politika shqiptare është përplot me njerëz të mbushur me urrejtje që për virtyt kanë fyerjen e kundërshtarit, sharjet, demagogjinë, fjalamaninë, vjedhjen, zhvatjen, shantazhin, e madje edhe vrasjen.
Tregut politik shqiptar, po i mungojnë ende plane dhe programe politiko-ekonomike të bazuara në fakte e në evidencë empirike. Shumëçka nga shumica duket improvizim. Kur njeriu i lexon disa nfga programet e prezantuara, ato u ngjasojnë më shumë tezave të doktoratave në Kosovë e në Shqipëri, të cilat në mungesë të një sistemi rigoroz verifikimi veç në tregun e dijes lokale konsiderohen si vlerë shkencore.
Si përfundim, do isha i lumtur sikur kjo pamje e ime kaq e zymtë për realitetin në Kosovë e Shqipëri të ishte e pabazuar!