Klubi i Twentes ka identifikuar dy persona që shfaqën banderolën me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në stadiumin e Twentes të dielën.
Klubi holandez ka paralajmëruar se do t’i ndëshkojë me ndalim të hyrjes në stadium dy personave.
“Është një aksion i ndërmarrë nga një numër i vogël i njerëzve dhe klubi është distancuar nga ai akt”, ka thënë sot zëdhënësi i klubit të Twentes Richard Peters.
Pavarësisht se Twente ka identifikuar dy personat që shfaqën banderolën dhe e ka dënuar sjelljen e tyre, Policia e Holandës nuk e ka cilësuar si ofenduese banderolën “Kosova është Serbi”.
Siç shkruan mediumi holandez, Sportnieuws.nl, Policia nuk po ndërmerr masa për këtë rast.
“Nuk ishte e lehtë [identifikimi i personave]. Por sipas këndvështrimit tonë nuk e kemi parë si ofendim”, ka thënë një zëdhënës i policisë holandeze.
Tifozët e Twentes kanë ofenduar dy futbollistët kosovarë që mbrojnë ngjyrat e klubit, teksa kanë shfaqur një banderolë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, në ndeshjen ndaj Feyenoordit të dielën, transmeton insajderi.
Për Twentes paraqiten dy futbollistët shqiptarë nga Kosova, Bersant Celina dhe Enis Bunjaki. Celina është anëtar i përfaqësueses së Kosovës në futboll, ndërsa Bunjaki ka qenë i grumbulluar me Kosovën në vitin 2014.