Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se inspektorët tatimor për pesë mujorin e parë të këtij viti kanë realizuar 15,276 vizita përmbushëse tek bizneset, si rezultat i konstatimeve në teren janë lëshuar 3,534 gjoba mandatore, si dhe 184 gjoba për mallin e gjetur pa dokumentacion.
“Vlera e gjobave mandatarë shkon deri në 1.2 milion euro, kurse sa i përket mallit pa dokumentacion 155, 387 euro. Aktivitetet operative të cilat realizohen bazuar ne Planin Vjetorë të punës, kanë hasur edhe në konstatime tjera, siç është ajo e mungesës në stoqe, qarkullimit dhe tatimit shtesë”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
ATK shton se aktivitetet operative të kryera kanë dhënë rezultat në rritjen e të hyrave.
“Për këtë periudhë kemi rritje për 70.2 milion euro apo 28.9%, ku totali i inkasimit arrin vlerën e 312.7 milion euro. Trajtimin e evazionit tatimor përveç me aktivitete rutinore, hetime tatimore, ATK do ta bëjë edhe përmes projekteve përmbushëse, si ai në fushën e ndërtimtarisë, gastronomisë/hotelerisë, mallit pa dokumentacion dhe mungesës në stoqe, si dhe mos-deklaruesve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/