Një operator telefonik me pronësi serbe do të funksionojë në dy kode shtetërore, 60 mijë numra dhe në 20 për qind të territorit të Kosovës për 18 muajt e ardhshëm.
Në kuadër të implementimit të marrëveshjes për kodin shtetëror telefonik, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ARKEP ka ndarë 60 mijë numra për një operator të përkohshëm telefonik.
Me marrëveshjen e arritur më 13 nëntor të vitit që shkoi në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, u vendos që Kosovës t’i takojë kodi shtetëror telefonik me kusht që në periudhën e tranzicionit drejt këtij kodi në Kosovë të funksionojë një kompani e përkohshme e quajtur Mts D.O.O.
Më 15 dhjetor të vitit 2016, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit ndau për Kosovën kodin +383 si kod shtetëror i cili pritet të implementohet tërësisht deri në mesin e vitit të ardhshëm kur pritet largimi i kodeve të përdorura deri më tani.
Operatori i përkohshëm ngjalli reagime të shumta për shkak se është me pronësi të Serbisë.
‘Gazeta Jeta në Kosovë’ kishte gjetur se pronare e kompanisë së regjistruar në Kosovë është kompania “Telekom Srbija Ad Beograd”, pronare e së cilës është Qeveria e Serbisë.
Operatori i përkohshëm paralelisht me kodin e ri do ta përdorë kodin e Serbisë +381 dhe thirrjet nga Kosova drejt Serbisë përmes këtij operatori do të regjistrohen si thirrje lokale. /kallxo.com/