Spanja nuk e ka në plan njohjen e shtetit të Kosovës. Shpresa për njohje mbetet te normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi.
Ministria e Jashtme e Spanjës në një përgjigje për RTV Dukagjinin, ka thënë se nuk do të njohin Pavarësinë e Kosovës, por do të presin epilogun e dialogut ndërmjet palëve.
“Spanja mban qëndrimin e saj të mosnjohjes së deklaratës së pavarësisë të miratuar nga Prishtina në 2008 dhe mbron nevojën që çështja të zgjidhet përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Në këtë rast, ne e konsiderojmë rifillimin e Dialogut si një lajm të mirë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme spanjolle.
Mirëpo dialogun nga ana tjetër po e kundërshton profesori Richard Caplan, i cili thotë se ky proces deri më tani nuk ka sjellë asgjë.
“Spanja është ndër pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën. Spanja e sheh dialogun si mjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por pas raundit të fundit të bisedimeve, është e qartë se nuk ka pasur ndonjë përparim në atë drejtim”, deklaroi Caplan për RTV Dukagjinin.
Ndryshim të pozicionit të Spanjës karshi Kosovës nuk po presin as në Kosovë.
“Momentalisht nuk pres ndonjë lëvizje nga ana e Spanjës në raport me njohjen e Kosovës. Nga ana tjetër, qëndrimi i Spanjës se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut, tregon rëndësinë që Kosova duhet të ketë në raport me dialogun pasi ky proces do të përcaktojë njohjet nga pesëshja e BE-së e më pas edhe vendeve tjera”, deklaroi Emir Abrashi./Telegrafi/