“Presidentja nuk di të flasë”. “Ajo nuk di as të lexoj siç duhet”. “Presidentja po na turpëron në mediet e huaja”. “Ajo po bën gafa”. “Presidentja është ‘makinë- lodër’ që lëvizë me telekomandë të ndërkombëtarëve”. “Presidentja nuk është presidente, por është thjesht Atifete”. “Presidentja nuk po e ushtron si duhet funksionin kushtetues”…
Gjithë këto “epitete”, e që nuk janë të vetmet, e kanë përcjell të parën e shtetit prej ditëve të para kur emri i saj është nxjerr nga zarfi i Dellit, e deri më sot kur ka ardhur në prag të përfundimit të mandatit.
Për një çast, bie një sebep dhe ajo fiton mbështetje e simpati. Diskursi rreth saj ndryshon, vetëm pse një portal ia nxjerr notat e shkollës së mesme. Lajmi kualifikohet tendencioz dhe i porositur, vetëm pse në ditar i shihen njëshat. Nuk i mungon edhe ndonjë pesë, por përgjithësisht del se ka qenë një nxënëse me nivel mesatar.
Shtrohet pyetja: Ç’të keqe ka postimi i këtij lajmi të faktuar?
Qytetarët kanë të drejtë të dinë gjithçka për kreun e shtetit. Ajo e mban postin më të lart publik dhe si e tillë është e zhveshur pothuajse tërësisht nga privatësia. Tjetër gjë është se ajo ka ardhur përmes një “dere të ngushtë” dhe askush nuk ka mundur të shfletojë paraprakisht të kaluarën e saj. E shumta që është ditur për të ka qenë se ajo dikur ishte përkthyese e UNMIK-ut e pastaj oficere e lartë policie.
Por, tash, kur përflitet mundësia që ajo ta marr edhe një mandat në krye të shtetit, pse të mos zbulohen të panjohurat rreth saj?!
Angela Merkel, është përballur para zgjedhjeve të fundit në Gjermani, me një situatë shumë më të pakëndshme kur Georg Reuth dhe Günther Lachmann në librin biografikë për të, "Jeta e parë e Angela M.", e përshkruajnë atë si një grua që në rininë e hershme të saj kishte bërë "agjitacion dhe propagandë" për FDJ-në – organizatën e rinisë komuniste. Bile, dy autorët shkojnë më larg, duke e nxjerr “gruan e hekurt” s’i kundërshtare të mëhershme të bashkimit të Gjermanisë. Por, kjo e gjetur në të kaluarën e saj nuk e lëkundi besimin e elektoratit gjerman, sepse ajo kishte dhënë prova të mjaftueshme deri atëherë se është politikane e zonja, që për aq sa është e butë është edhe ashpër, dhe për sa është e mençur është edhe e guximshme.
Shansin për të dhënë këso dëshmish e ka pasur edhe Atifete Jahjaga për pesë vjet rresht. Por, nuk ja doli! Andaj, gabimi më i madh është nëse sot përpiqesh t’i dalësh në mbështetje presidentes, duke i marr si masë krahasuese pretendentët tjerë për postin e presidentit.
Logjika “kjo nuk është e aftë, por prapë është më e mirë se këta tjerët”, nuk na shpije askund. Tregon vetëm mjerimin tonë si shoqëri.
Meqë Jahjaga nuk ka arritur të prodhojë argumente se edhe një nxënëse me sukses të dobët në një të ardhme mund ta udhëheq suksesshëm shtetin, pse në si qytetarë duhet të bëhemi të ndjeshëm ndaj saj dhe ta pranojmë si udhëheqëse.
Nëse për pesë vjet ajo nuk ka dëshmuar lidership, zor se mund të ndryshojë edhe sikur ta bëjmë presidente të përjetshme.
Pse u dashka ta ulim kriterin e vlerësimit për ata që na udhëheqin? Pse të mos hapet debat për figurat e mundshme për kryetar shteti?
Nëse një kandidat potencial është hajn, t’i tregojmë që ka vjedhur. Nëse është kriminel, t’i tregojmë se ka vrarë. Nëse është i korruptuar, t’i tregojmë se ku e ka keqpërdor pozitën e vet dhe çka ka zhvatur. Nëse është person me kredibilitet, pse të mos hapim debat rreth tezave dhe koncepteve të tij për shtetin.
Pse gjithmonë u dashka të zgjedhim mes dy të këqijave?
Fakti që presidentja ka pasur njësha në shkollë te mesme nuk duhet injoruar. Ata njësha janë domethënës, po aq sa janë domethënës pesëshat e atyre që paturpësisht e tmerrësisht dinë t’i përvetësojnë të mirat e përbashkëta. Si shoqëri, na takon t’i kërkojmë të mirët. Nëse nuk mund të bëjmë këtë, të paktën mund të mos i mbështesim të paaftët.