Site icon Telegrafi

Për një “po” ose “jo” stabile

Elon Pireva

Para përgatitjes së SHBA-ve për intervenim ushtarak në Siri, si një nga pikat e mundshme, ku do të merrnin rrugën predhat e raketore në vijën ajrore, ishte edhe territori i Shqipërisë. Me ndryshimet që pasuan në politikën ndërkombëtare, mes vendosmërisë dhe pavendosmërisë së aleatëve evropianë, regjimi i Assadit dha shenjë tërheqje nga pozicioni i ngurtë dhe refuzues se nuk posedon armë kimike, duke lejuar jo vetëm një kontroll nga ekspertët ndërkombëtarë, por edhe shkatërrimin e tyre.

Se ku do të mund të shkatërrohen armët kimike siriane ishte dilema e ardhshme ? Emri i Shqipërisë për disa ditë rresht ishte më i lakuari dhe më i përfoluri në shtypin dhe mediat botërore.

Përkufizimi i Kadaresë se jo rrallë shquhemi për gjykim të cektë dhe kokënxehtë, mbetet edhe më tutje ana jonë e dobët e të menduarit dhe të bërit politikë, ndoshta edhe mënyra se si ende zhvillohet komunikimi ynë ndërpartiak – shtetëror.

Jo rrallë po dëshmohet se në lëshimet apo për mungesën e zotësisë së krerëve të vendit para situatave të tilla politike, jo aq të lehta për t’u marrë vendime, reflektoi fuqinë politike të Shqipërisë, pozicionin për të qenë partner brenda aleancës më të madhe të sigurisë, për një Shqipëri e cila ka ende frikë jo sa nga pranimi apo mospranimi i armëve kimike, por nga keqkuptimi i madh që ekziston mes pozitës dhe opozitës që mbetet shembull i një skene politike që nuk e bashkojnë interesat nacionale, por vetëm ndonjë presion i brendshëm apo ndërkombëtar.

Marrja e vendimit për një “po” dhe “jo” që tejkalon kornizat e interesave partiake, ku preket direkt interesi madhor i vendit, do të duhej t’i bënte bashkë të gjithë, sepse vetëm kështu një “po” ose “jo” e pakuptueshme e Shqipërisë do të kishte më shumë kuptim, ndërsa pesha politike e vendimeve do të vlerësohej më seriozisht.

Para marrjes së një vendimi të Ramës, Shqipëria po përjetonte pritjen e kumtit të pasdites nën ethe të mëdha. Kjo gjendje shprishi raportin jo vetëm pozitë-opozitë, por edhe vetë raportet brenda dy kampeve politike, sa dikush kishte filluar të fërkonte duart se nga një gabim apo mosgabim i tillë varej fati i atyre, që ende pa zbritur nga pushteti mund të ngjiteshin në kolltukët e pa ftohur nga të qënit në pozitë.

Vendimet e mëdha kërkojnë konsensus nacional, praktikë kjo që rrallë funksionon në lidershipin shqiptar.

Një “po” ose një “jo” e dhënë në variantin pak sa të mistifikuar nga kreu i vendit, Edi Rama, ishte rezultat i zhvillimeve kundërthënëse politike në Shqipëri. Pra, kjo nuk ishte një “jo” origjinale e Ramës; një sprovë kjo në planin e sigurisë, e cila mund të mos jetë e para as e fundit, sepse të qënit partner brenda aleancës më të madhe ushtarake të NATO-së do ta sfidojë secilin anëtar të saj për të marrë përgjegjësi brenda misioneve të udhëhequra nga SHBA, në kriza të shumta që do të mund të hapen nëpër rajonet e ndryshme të botës.

Në Shqipëri jo që nuk funksionon konsensusi ndërpartiak për interesa nacionale, por para këtyre drithmave që mund t’i përjetojë pozita dhe qytetari, opozita sikur kërkonte rast për poentim pikësh para opinionit, duke nuhatur lëkundjet eventuale të Qeverisë e cila ende nuk e ka përfunduar mirë 100 ditëshin në drejtimin e vendit.

Krejt zhvillimi i këtij epilogu ngjarjesh për pranim ose mospranim të armëve kimike siriane, sikur la nën hije të gjitha pasojat ekologjike, shëndetësore duke e nxjerrë në shesh një fakt të pamohueshëm, se sa helm e vrer hodhën mbi njëri-tjetrin pozitë dhe opozitë, se sa turbulenca psikologjike-shpirtërore u shkaktuan mijëra qytetarëve jo vetëm në Shqipëri.

Politika shqiptare nëse e ka kuptuar mirë kalimin nëpër këtë sprovë, e cila buron nga partneriteti në aleancën e sigurisë, së paku do të duhej ta nxirrte për veten një mësim, se vendimet e mëdha nuk bëhen me një pozitë dhe opozitë kaq të ndarë, që “bashkohen” vetëm në këtë pikë.

Shqipëria dhe shqiptarët, duhet të arrijnë në një nivel pjekurie politike-shtetërore, që në të ardhmen për vendime të mëdha politike ta kenë një “po” ose një “jo” stabile.

 

Exit mobile version