Site icon Telegrafi

Për një orë punë në pizzeri fitoni 31.030 dollarë

Kompania “Domino’s Pizza” po feston 25 vjetorin e punës në Japoni dhe me rastin e kësaj feste, ndërmjet tjerash, ka vendosur të punësojë edhe një fatlum i cili për vetëm një orë punë do të fitojë këtë rrogë të majme.

Zëdhënësi i kompanisë nuk dëshiroi të zbulojë më shumë detaje. Të gjithë të interesuarit duhet të plotësojnë aplikacionin, ndërsa ata që hyjnë në listën e ngushtë të kandidatëve do të intervistohen për këtë punë të ëndrrave. “Kryesisht kandidatët duhet të jenë më të vjetër se 18 vjet, ndërsa përvoja dhe arsimimi nuk janë me rëndësi. Ne vërtetë jemi të befasuar me interesimin e njerëzve”, tha zëdhënësi, njofton Reuters.

Fatlumi që kontraktohet do t’ia fillojë punës në dhjetor, por data e saktë ende nuk dihet. Përndryshe rroga mesatare në Japoni arrin në shumën 12.41 dollarë për orë. “Domino’s Pizza” është njëri prej zinxhirëve më të mëdhenj të ushqimit me më shumë se 8000 dyqane në 50 shtete të botës.

Kompaninë e themeluan vëllezërit Tom dhe James Monaghan. Biznesin e filluan më 1960 kur blenë pizza restorantin “DomiNik’s” për 500 dollarë. Një vit më vonë, Tom u bë pronari i vetëm pasi James shiti aksionet e tij. Tom Monaghan më vonë ndërroi emrin e restorantit në “Domino’s Pizza” dhe shpejtë nga një pizzeri e zakonshme u bë njëri prej zinxhirëve të ushqimeve më të suksesshëm në botë. “Domino’s Pizza” për çdo dit shërben mbi një milionë myshterinj, ka të punësuar 140.000 punëtorë, ndërsa të ardhurat vjetore të kësaj firme kapin shifrën prej 1.4 miliardë dollarë. /Telegrafi/
 

Exit mobile version