Site icon Telegrafi

Për një muaj Policia Rajonale në Ferizaj realizon 170 urdhëresa të gjykatave

Foto: Ilustrim

Gjatë muajit maj të këtij viti Policia e Kosovës në Rajonin e Ferizajt ka arrestuar gjithsejtë 170 persona për vepra të ndryshme penale dhe ka sjellë para organeve kompetente të drejtësisë.

Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës, për rajonin e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se prej vitesh kanë ndërtuar një bashkëpunim të mirë me Gjykatat dhe Prokurorinë me qëllim që kryerësit e veprave penale të asistohen para organeve kompetente për vuajtjen e dënimeve.

“Policia edhe në të ardhmen do të vazhdojë të bashkëpunojë me Gjykatat dhe institucionet tjera dhe do t’i realizon thirrjet e tyre për t’i arrestuar përgjegjësit e veprave penale”, ka thënë Veseli.

Ai ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët për t’i identifikuar kryerësit e veprave të ndryshme penale, duke u zotuar se të dhënat e qytetarëve do të mbeten gjithmonë konfidenciale.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, Policia Rajonale në Ferizaj, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se në bazë të planit operativ  gjatë muajit maj të këtij viti janë realizuar gjithsejtë170 urdhëresa të gjykatave kompetente për vepra të ndryshme penale.

“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me realizimin e urdhëresave ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës. Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë, nëse kanë informacione për personat që janë të kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë 192,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version