Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ka njoftuar se javën e kaluar janë ndaluar mbi 60 persona për arsye të ndryshme – kontrabandim me emigrantë, vjedhje, vjedhje të rënda, tregti të paligjshme të drogës, konfrontime fizike, armëmbajtje pa leje, grabitje.
Ministri përmes rrjetit social Facebook bën të ditur se gjatë javës së kaluar janë forcuar masat operative dhe aktivitetet parandaluese me qëllim të rritjes së sigurisë së qytetarëve.
“Pas masave të marra nga Ministria e Punëve të Brendshme në të gjithë vendin si dhe njësia lëvizëse për sigurinë në qarkullimin rrugor, janë lëshuar 4828 urdhërpagesa të gjobave për kundërvajtje të kryera në trafik”.
“Janë realizuar 14 aktivitete parandaluese me temat e parandalimit të migrimit ilegal dhe transportit të emigrantëve me mjete motorike, bullizmi kibernetik (dhuna online), dhuna e bashkëmoshatarëve dhe siguria në shkolla, parandalimi i trafikut dhe përdorimit të drogës, udhëtimi i sigurt në dimër”, ka shkruar Spasovski.