Ekipet e kombinuara të specialistëve të lëmive të ndryshme mjekësore nga Turqia e Kosova për një javë kanë kryer 122 operacione, kryesisht raste të komplikuara, 23 koronarografi dhe mbi 600 ekzaminime, kontrollime dhe konsultime profesionale shëndetësore.
Gjithashtu, përveç pjesës klinike, gjatë kësaj jave, përmes seminareve dhe diskutimeve profesionale, midis profesionistëve të dy vendeve janë këmbyer edhe përvoja të edukimit të vazhduar profesional.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Shëndetësisë, në përfundim të kësaj jave, autoritetet shëndetësore të dy vendeve janë zotuar se kjo traditë e bashkëpunimit midis dy shteteve do të vazhdojë edhe viteve në vijim, ndërkohë që, është përkrahur ideja që java e ardhshme shëndetësore të organizohet edhe në spitalet e përgjithshme të vendit.
Në ndërkohë, ekipe të mjekëve nga Kosova do të ndjekin programe të ndryshme të edukimit të vazhduar profesional në spitale të ndryshme të Turqisë, në kuadër të bashkëpunimit midis dy shteteve bë shëndetësi.