Eric de Moura, banor i ndërtesës që u shemb në Florida, është dashur që në momentin e tragjedisë të jetë në apartamentin e tij – por ishte e dashura ajo që e bindi që natën ta kaloj te ajo jo larg vendit ku ai jeton – e ky veprim pa dyshim që i shpëtoi jetën.
“Kjo është mrekulli. Është një situatë e pikëlluar – shumë e habitshme”, ka thënë 40-vjeçari De Moura, transmeton Telegrafi.
De Moura ishte zgjuar të premten për të shkuar në palestër për të kryer ushtrimet e tij të përditshme. Pjesën tjetër të ditës e kaloi duke punuar dhe gatuar specialitete nga kuzhina tradicionale braziliane në apartamentin e tij në katin e 10-të, e më pas u largua tri kilometra të shijoj darkën me të dashurën dhe miqtë.
Siç raporton Reuters, pas darkës, me miqtë shikoi ndeshjen e futbollit Brazil-Kolumbi. Me të dalë jashtë u përshëndet me partneren.
“I thash se po shkoj në shtëpi, pasi që të nesërmen me duhej të shkoja herët në palestër dhe se nuk i kisha me vete rrobat që kisha nevoja për to”, ka shtuar ai.
Megjithatë ajo arriti ta bind që të qëndroj tek ajo. E vazhduan mbrëmjen me birra dhe në një moment shkuan për të fjetur – dhe pikërisht në atë moment u shemb ndërtesa.
Disa orë më vonë u zgjuan dhe kuptuan se kishin humbur disa thirrje dhe mesazhe, në të cilat pyetjet nëse është mirë.
“Jam rrëqethur. Jam veshur dhe me shpejtësi kam shkuar atje”, ka shtuar ai.
Ndërtesën shumëkatëshe e ka përshkruar si një vend të ngrohtë, në të cilën banorët ishin nga vende të ndryshme të botës.
De Moura që shet pajisje medicinale, ka thënë se e falënderon të dashurën e cila sipas tij tani meriton unazën e fejesës.
“Ende nuk kam qarë. Ajo tërë kohën qanë. Është e vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh”, ka shtuar ai.
Kujtojmë që numri i të vdekurve nga shembja e ndërtesës deri më tani ka shkuar në 5, derisa i atyre që ende konsiderohen të zhdukur – 156. /Telegrafi/