Kina është bërë treg i madh i veturave luksoze, por me rritjen e shitjeve janë shtuar edhe kërkesat për modifikime të shumta.
Meqenëse kinezët preferojnë më shumë makinat elektrike sesa ato që lëvizin me lëng të djegshëm, Bentley është duke punuar që ta kthejë modelin Mulsanne në lëvizje me rrymë.
Në një intervistë për AutoCar, zëdhënësi i kompanisë Hans Holsgartner, ka thënë: “Nëse nuk kemi vetura elektrike, më nuk do të jemi të pranueshëm në shumicën e qyteteve të Kinës”, transmeton Telegrafi.
“Për t’i bërë makinat elektrike, duhet të punojmë që të mos e humbim luksin, linjat dhe komoditetin, ndërsa do të shtojmë bateritë e shumta, që zënë shumë hapësirë”, shtoi ai.
Në fakt, Mulsanne konsiderohet si i vetmi model i mundshëm deri më tani që do të kthehet në makinë elektrike, sepse të tjerat kanë formë specifike që nuk i zënë bateritë dhe i humbin tiparet estetike.
“Në modelin Continental GT Speed, nuk bën të ketë kësi ndryshime, sepse do të humbte formë dhe do të zhdukej shkëlqimi që ka Bentley”, ka thënë më tej Holsgartner. /Telegrafi/