Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët PDK-së, biznesmeni i njohur Kosovar Ramiz Kelmendi, i ka organizuar pritje – në vilën e tij në Bogë të Rugovës – sekretarit të Ligës Arabe, Iyad Ameen Madani.
Madani ka qëndruar këto ditë në vendin tonë për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të vendit, Hashim Thaçi, ndërsa ka shprehur interesim për të parë dhe vizituar bizneset dhe rrëfimet e suksesshme të Kosovës.
Në pritjen që Kelmendi i ka bërë mysafirit të lartë arab, morën pjesë edhe deputeti tjetër i PDK-së, ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ambasadori i shtetit tonë në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, si dhe ai i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu.
Në këtë pritje, presidenti i ‘Elkos group-ETC’, Ramiz Kelmendi, e ka njoftuar mysafirin për mundësitë e zhvillimit ekonomik, të shkëmbimit tregtar dhe investimeve të huaja që ofron Republika e Kosovës.
Kelmendi e ka njoftuar mysafirin e lartë mbi resurset, mundësitë, aspektin juridik e sidomos potencialin e lartë dhe kualitativ që Republika e Kosovës ka me popullatën – rininë e gatshme për punë.
Në këtë takim është biseduar edhe për mundësinë e hapjes së një qendre të madhe të ‘Elkos group-Etc’ në Gjermani, me çka do të krijohej mundësia e plasimit dhe shitjes së produkteve bujqësore kosovare në këtë shtet të fuqishëm.
Për temat e takimit të sotëm dhe pritjen e mysafirit të lartë, deputeti Kelmendi ka shkruar në rrjetin e tij social në Facebook. Postimin e tij mund ta lexoni më poshtë.
“Shkëmbimi tregtar dhe thithja e investimeve të huaja
Sot pata nderin t’i mirëpres në villen time në Rugovë – Bogë – sekretarin e Ligës Arabe, zt. Iyad Ameen Madani, deputetin Enver Hoxhaj, ambasadorin e Republikës së Kosovës në Arabin Saudite, zt. Rexhep Boja, dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Gjermani, zt. Skender Xhakaliu.
Arabia Saudite dhe Gjermania përfaqësojnë dy shtete ekonomikisht shumë të avancuara, si në kapital të akumuluar, por edhe në zhvillimin e teknologjisë prodhuese. Kosova mund të përfitojë nga një bashkëpunim më këto shtete, si në thithjen e kapitalit investues, por gjithashtu edhe ne ngritjen e kuadrove profesionale, ku Gjermania mund të shërbejë si shembull i shkëlqyeshëm”, ka shkruar Kelmendi. /Telegrafi/
Shkëmbimi tregtar dhe thithja e investimeve të huajaSot pata nderin t’i mirëpres në villen time në Rugovë-Bogë…
Posted by Ramiz Kelmendi on Saturday, April 9, 2016