Personi i akuzuar për shpërthimin e një bombe në makinë që vrau një gazetare të njohur malteze ka rrëfyer për krimin në një intervistë me një reporter të Reuters.
Kështu, siç raporton mediumi në fjalë, ai ka thënë se së shpejti do të implikojë të tjerët në komplotin për ta vrarë gazetaren.
Duke folur nga burgu në komentin e tij të parë mbi rastin, George Degiorgio tha nëse do të kishte ditur më shumë për gazetaren Daphne Caruana Galizia – që ai dhe dy të tjerë akuzohen për vrasjen në 2017 – atëherë ai do të kishte kërkuar më shumë para për të kryer sulmin.
“Po ta dija do të kisha shkuar për 10 milionë. Jo 150 mijë”, tha ai duke iu referuar shumës në euro që tha se është paguar për vrasjen e gazetares.
“Për mua ishte thjesht biznes. Po. Biznes si zakonisht!”, i ka thënë ai një gazetari të Reuters, përcjell Telegrafi. Më vonë ai shtoi: “Sigurisht që më vjen keq”.
Intervista me Degiorgio u krye gjatë hulumtimit për një podcast në rastin Caruana Galizia, me titull “Kush e vrau Dafnin?”
Pranimi i tij erdhi pas disa përpjekjeve nga avokatët e Degiorgio që nga viti 2021 për të siguruar një falje në këmbim të dëshmisë për rolin e Degiorgio në vrasjen e Caruana Galizia dhe krime të tjera të supozuara që përfshijnë figura të shquara në ishull.
Vrasja e gazetares dhe blogeres investigative shkaktoi tronditje në të gjithë Evropën.
Dhe autoritetet malteze akuzuan Degiorgio dhe dy burra të tjerë – vëllain e tij Alfred dhe një bashkëpunëtor, Vince Muscat – për vrasjen e Caruana Galizia-s në tetor 2017 me urdhër të një biznesmeni kryesor të ishullit. /Telegrafi/