Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.N, për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.N, në Gjakovë në rrugën “Bardhyl Qaushi” me dashje, për motive të ulëta ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.N.
“…në atë mënyrë ditën kritike i pandehuri ka marrë revolen e tipit Ekol Tuna dhe me të takuar rreth orës 12:20 min të dëmtuarin, e nxjerrë revolen nga xhepi dhe në distancë prej 2 metra shkrep një herë ku si pasojë e gjuajtjes të dëmtuarit i shkakton plagë në regjionin e krahut të dorës së majtë dhe të regjionit ijor (lumbal) të anës së djathtë të trupit, të shkaktuara nga veprimi dinamik i predhës të hedhur nga arma e zjarrit dhe si të tilla, bëjnë pjesë në lëndimet e lehta trupore dhe me lëndim të përkohshëm të shëndetit”, thuhet në komunikatën për media.
I pandehuri A.N, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori i Shtetit, në Gjakovë pasi më parë kishte siguruar e gjerë më datë 25.05.2023, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm nr.05/L-022 për Armët në Kosovë, ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armë në shtëpinë e tij dhe atë pistoletën gjysme-automatike”.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mire se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë”. /Telegrafi/