Në foto: Adnan Mustafa
Prodekani dhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë, Kreshnik Hoti, në profilin e tij në Facebook njofton për pranimin e Katedrës së Praktikës së Farmacisë dhe Kujdesit Farmaceutik në Asociacionin Evropian të Kujdesit Farmaceutik.
Hoti ishte duke u bërë gati për prezantimin në këtë institucion të rëndësishëm, kur merr vesh se ka ndërruar jetë kolegu i tij, Adnan Mustafa, me të cilin kishin punuar në realizimin e këtij synimi.
“Adnani, miku dhe mentori im i Farmacisë, ka dhënë kontribut sa askush tjetër në Kosovë në lëmin e Praktikës së Farmacisë dhe Kujdesit Farmaceutik. Prandaj, ky sukses modest, dhe kjo njohje ndërkombëtare e fushës farmaceutike për të cilën Adnani profesionalisht punoi aq shumë, i dedikohet pikërisht atij”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.
Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“Për mikun tim, Adnan Mustafa
Sot, në Bled të Sllovenisë, pata nderin që të prezantoj Degën e Farmacisë, përkatësisht Katedrën e Praktikës së Farmacisë dhe Kujdesit Farmaceutik para Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit Evropian të Kujdesit Farmaceutik.
Me këtë rast, prezantova zhvillimet e fundit në edukimin e studentëve tonë në këtë lëmi si dhe aktivitetet, kapacitetet dhe planet për hulumtime shkencore në këtë fushë.
Pas prezantimit, Asambleja vendosi unanimisht pranimin e Katedrës tonë në këtë institucion të rëndësishëm Evropian të lëmit të Kujdesit Farmaceutik, ku jo të gjitha shtetet evropiane kanë arritur të anëtarësohen.
Ky anëtarësim do të lehtësojë dhe stimulojë punën kërkimore të farmacistëve kosovarë si dhe bashkëpunimin e doktorantëve të ardhshëm të këtij lëmi me kolegët e tyre nëpër Evropë.
Përpjekjen për anëtarësim në këtë Asociacion e kisha diskutuar me Adnan Mustafën para ca kohe, por isha skeptik nëse kjo do të arrihet. Ndërsa, Adnani përgjigjej si gjithmonë me optimizëm: ‘Mos u mërzit se kan me na pranue’. Me padurim kemi pritur konfirmimin e anëtarësimit në këtë asociacion prestigjioz.
Adnani, miku dhe mentori im i Farmacisë, ka dhënë kontribut sa askush tjetër në Kosovë në lëmin e Praktikës së Farmacisë dhe Kujdesit Farmaceutik. Prandaj, ky sukses modest, dhe kjo njohje ndërkombëtare e fushës farmaceutike për të cilën Adnani profesionalisht punoi aq shumë, i dedikohet pikërisht atij! U prefsh në paqe miku im!”, ka shkruar Hoti. /Telegrafi/