Telegrafi

Për masakrën në Qipro, shpallet në kërkim një 48-vjeçar shqiptar

Policia e Qipros ka publikuar identitetin e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim, pasi dyshohet si pjesëmarrës në ngjarjen e të enjtes ku katër persona mbetën të vrarë gjatë një atentati dhe shkëmbim zjarri.

Personi i shpallur në kërkim quhet Aleks Burreli, 48 vjeç. Policia u bën thirrje qytetarëve që nëse dinë diçka për personin, të komunikojnë me stacionin policor më të afërt.

Sipas autoriteteve, Burreli kishte hyrë në Qipro më 8 maj të këtij viti, bashkë me ekzekutorin, gjithashtu shtetas shqiptar, i cili humbi jetën, i qëlluar në kraharor, gjatë atentatit të së enjtes.

Ekzekutori është identifikuar nga policia si Jani Vogli, i moshës 41 vjeç. Dyshohet se ky mund të jetë vrarë nga bashkatdhetari i tij, Burreli. Dhe, kjo, pasi ekspertiza dëshmoi se dy policët që shoqëronin biznesmenin e vrarë, nuk i kanë përdorur armët e tyre.

Mbrëmjen e së enjtes dy persona hapën zjarr drejt një tavoline ku po darkonte biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, i moshës 51 vjeç. Biznesmeni dhe dy nga policët që e shoqëronin, burrë e grua, mbetën të vrarë, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën.