Elon Pireva
Mungesa afatgjate e stabilitetit politik ndër shqiptarët, prej asaj që ne themi të qenurit i robëruar, vend pa liri veprimi, ndërtimi të shtetit dhe zhvillimit, pamundësia për ta përjetuar ciklin e ndryshimeve në të gjitha formacionet ekonomike-shoqërore, nuk ka dyshim se janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në formimin psikologjik, shpirtëror dhe inetlektual të kombit shqiptar.
Kjo gjendje pamundësie për t’iu nënshtruar disa proceseve normale, që i kanë kaluar shoqëritë e tjera evropiane, ka quar në rritjen dhe grumbullimin e sfidave nga një periudhë tek tjetra, që padyshim edhe për një kohë të gjatë do të mbesin pengesa, jo lehtë të zgjidhshme nga forca e dijes së elitës intelektuale të shqiptarëve.
Fati tragjik ka bërë që nëpër mijëvjeçar, shqiptarët të vihen në një luftë të tmerrshme për ta ruajtur substancën fizike njerëzore dhe jo për ta zhvilluar atë brenda elementit kohë, e cila në shumë raste, varësisht nga kontesti i ngjarjeve, ishte ose mikja e në të shumtën e rasteve armikja e tij.
Fillim shekulli XXI solli ndryshime rrënjësore në të të gjitha drejtimet për vendet evropiane, por padyshim edhe nxori në sipërfaqe dallime substanciale sa i përket zhvillimit ekonomiko-social brenda kontinentit, mes shteteve që tani janë promotorë të integrimeve në BE dhe vendeve që ende u duhet kohë për të rrugëtuar deri aty.
Padyshim, shqiptarët janë përfitues nga këto ndryshime të mëdha politike, si rezultat i daljes nga ose pozicioni i të qenurit rob i dikujt për t’u bërë një rob i vetvetes.
Shoqëria shqiptare ende nuk e ka arritur sa duhet ta krijojë njeriun e këtij shekulli, të përgatitur në të gjitha dimensionet e formësimit psikologjik, shpirtëror, intelektual dhe civilizues, i cili ende përpëlitet mes fazës së ngjitjes dhe të qenurit në agoninë e kohëve të ikura, të cilat situata jo rrallë do të sjellin brenda vetës kriza konceptuale që prodhojnë pasiguri të përcjella me humbje të orientimit për t’u pozicionuar fuqishëm karshi proceseve të mëdha, të cilat kanë dinamikë vështirë të kontrollueshme, ku kërkohen potenciale nga sfera e dijeve, për t’i dhënë përgjigje çdo fenomeni që reprodukohet nga vende që janë në hap me kohën dhe bëjnë trysni të vazhdueshme ekonomike, kulturore në rajon dhe më gjerë.
Sot, brenda elitave politike shqiptare, është krijuar perceptimi nga ai më optimist deri tek ai më skeptik, se ne kurrë nuk kemi qenë më faktorë në Ballkan dhe me gjerë, sepse funksionojmë si dy shtete. Se ne duke qëndruar të ndarë nuk do të mund t’i rrisim kapacitetet e brendshme me efekte ndikuese pozitive si brenda vendit dhe më gjerë.
Sidoqoftë, nismat për shkrirje të barrierave brenda kombit shqiptar apo dy shteteve ekzistuese, po ecin me në ritëm të shpërputhshëm me zhvillimet e reja në rajon, me çka edhe për një kohë do të sillemi duke qenë peng brenda kornizës së procesit të vetënjohjes, një situatë kjo që kur mbetet e pashqyrtuar dhe e pa orientuar nga qendrat politike e institucionale, që hartojnë politika në nivel strategjik e nacional, mund ta zvarrisin perspektivën për të ardhmen.
Ky stad i zhvillimit në një proces të gjatë dekadash të tranzicionit shqiptar, është pasojë e periudhave pararendëse, që nuk ndihmuan shumë në krijimin e njeriut të ri shqiptar, i cili rezonon dhe vepron arsyeshëm dhe sjell ndryshimin e kërkuar për kohën e tij.
Dy qendra më të mëdha politike shqiptare, Tirana dhe Prishtina, ende nuk po mund t’i unisojnë qëndrimet në nivelin makro-politik nacional dhe mbi bazën e tyre të ndërtohen disa shtylla bazë ku përcaktohet e ardhmja, ku jepen përgjigjet për disa sfidat në planin ekonomik, të sigurisë, zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të mbetur jashtë këtyre dy hapësirave shtetërore, qartësimi i pozicionit politik dhe diplomatik në relacion me fuqitë zonale në Ballkan dhe identifikimi i partnerëve strategjik rajonal.
Kjo ngrehinë e qëndrimeve në makro politikën nacionale nuk mund të lëviz lehtë pa u dhënë përgjigje në rrafshin e zhvillimit ekonomik, identifikimin e resurseve natyrore, futjes në një treg të përbashkët të teknologjive moderne, duke filluar nga ajo që njihet si industri e lehtë dhe përpunuese, me synime që pjesërisht në periudha më gjata të hapen dyert për industrinë e rëndë si mundësi konkurruese në tregun rajonal dhe me gjerë.
Që të përmbyllet ky tranzicion i gjatë, kërkohet të ndryshuarit e mendësisë shqiptare, e cila shpesh zbret nën nivelin, që shtetet e konsoliduara i bëjnë politika e tyre në raport me vetveten.
Dy qendrat politike shqiptare Tirana dhe Prishtina duhet të investojnë bashkërisht që të krijohet njeriu i ri shqiptar, i cili ka energji, dije dhe guxim të ecë me kohën e vetë dhe ndërton zhvillime në harmoni me interesin e shoqërisë shqiptare, duke e ruajtur atë nga rënia në kontradiktat e panevojshme që shkaktojnë gërryerjen e një vendi dhe i molisin kapacitetet vitale të tij.