Site icon Telegrafi

Për kë shkruaj?

Klementin Mile

“Për kë shkruaj? më pyet kronikani, gazetari apo thjesht kureshtari”. Me këtë varg fillon një poezi e famshme e poetit nobelist spanjoll Vicente Aleixandre. Më tej ai përgjigjet: “Shkruaj për të dashuruarin; për atë që kaloi me trishtimin në sy; për atë që e dëgjuat; për atë që s’hodhi sytë te kalonte; për atë që më në fund u rrëzua kur pyeti dhe s’iu përgjigjët. Shkruaj për të gjithë. Për ata që më lexojnë shkruaj, sidomos. Për një dhe për një mijë. Edhe për zemrat, edhe për gojët, edhe për veshët ku, pa më dëgjuar, fjala ime ekziston”.

Të shkruarit është akt publik – njeriu nuk mund të shkruajë për veten. Nëse e bën këtë, ky quhet ditar dhe është i destinuar të mbetet privat. Edhe mua si Aleixandren më kanë pyetur për kë shkruaj apo përse shkruaj. Miq, kolegë dhe të njohur thonë se është e kotë të shkruash, pasi në këtë vend janë të paktë ata që lexojnë dhe, në fund të fundit, asgjë nuk ndryshon. U kam thënë që shkruaj ngaqë kam diçka për të thënë. Kështu ka ndodhur gjatë 93 javëve që vazhdoj rubrikën filozofike të përjavshme te MAPO. Por sot, ndryshe nga Alexandre, e kam të pamundur të shkruaj.

Të shkruash për pamundësinë për të shkruar, siç po bëj unë tani, në logjikë cilësohet paradoks. Por, paradoksi paralizon mendimin e logjicienëve, jo të filozofëve. Në filozofi paradoksi është ftesë për të reflektuar më thellë e në mënyrë më origjinale për gjërat. Prej nga buron pra kjo mundësi për të shkruar për pamundësinë e të shkruarit? Çfarë do të thotë që e vetmja gjë që mund të them është se nuk kam asgjë për të thënë?

Çështja që po trajtoj në këtë shkrim tingëllon thellësisht personale – dhe e tillë është. Por, ajo është njëkohësisht publike. Jo thjesht ngaqë nuk figuron në ditarin tim privat, por mbi të gjitha sepse adreson pamundësinë njerëzore për t’u shprehur: heshtjen. Heshtja është përvojë autentike e njeriut. Çdo njeriu gjatë jetës së vet i ndodh të heshtë, i ndodh të mos gjejë dot fjalët për t’u shprehur, i ndodh të mos ketë dëshirë të flasë apo shkruajë. Në këto raste, me të drejtë, themi se njeriut i mungon motivimi.

Motivi është fjalë që ka ardhur në gjuhët moderne evropiane dhe në gjuhën shqipe nga latinishtja, ku motus do të thotë “lëvizje” dhe motivus “lëvizës”. Pra, bëhet fjalë për diçka që e lëviz personin së brendshmi për t’u sjellë në një mënyrë të caktuar. Të të mungojë motivi apo motivimi do të thotë të mos ndodhë kjo lëvizje e brendshme.

Çdo lëvizje mund të konceptohet si lëvizje ndërmjet dy pikave, për shembull A dhe B. Motivi është gjithmonë lëvizje që bashkon dy pika, por përderisa flasim për motive të ndryshme, kjo do të thotë që, në secilin rast, pikat që bashkohen prej lëvizjes janë përmbajtësisht të ndryshme. Prandaj, motivi për t’u shprehur (për të folur, për të shkruar) dallon nga motivi për të investuar, nga motivi për t’u kujdesur për shëndetin fizik, nga motivi për të ndihmuar të tjerët, nga motivi për t’u marrë me politikë e kështu me radhë.

A-ja dhe B-ja e motivit për t’u shprehur mund të përcaktohen nga pyetja “Kush?” Kush po i flet kujt? Kush janë ata për ty dhe kush je ti për ta? Mundësia njerëzore për t’u shprehur varet nga vetëdija për identitetin tënd në sytë e tjetrit dhe për identitetin e tjetrit në sytë e tu. Pa e ditur kush je për tjetrin nuk mund të shprehesh – lëvizja motivuese nuk arrin as të niset prej pikës fillestare. Pa e ditur kush tjetri është për ty prapë nuk mund të shprehesh – motivi nuk e gjen një pikë fundore për t’u përmbushur si lëvizje. Në të dyja rastet pason heshtja, si fjalë të papërshtatshme për t’i thënë, si fjalë të kota për t’i thënë, si mungesë dëshire për të thënë.

Exit mobile version