Prishtina REA, një agjenci, e cila merret me ofrimin e shërbimeve të konsulencës dhe asistencë teknike për zhvillim Ekonomik dhe Sektor Privat, në një konferencë nacionale , të enjten, prezantoi studimin me temën “Sektori privat dhe mundësitë për investime në Kosovë’, së bashku me të gjeturat, rekomandimet dhe propozimet për paketën e incentivave e lehtësirave fiskale, biznesore dhe për zonat ekonomike.
Ahmet Jetullahu-Meti, drejtor i Prishtina REA theksoi se sektori privat në Kosovë vazhdon të konsolidohet tutje. Por, sipas tij, për fat të keq, institucionet qeveritare nuk arritën të tregojnë performancë kohezive dhe konsistencë ndaj sektorit privat, pa arritur të hartojnë strategji, dokumente a plane të implementueshme me tregues të matshëm dhe perspektiva .
“Për këtë arsye, ne, përmes këtij studimi, bazuar në të gjeturat dhe analizat tona, edhe ofrojmë, rekomandimet tona për qeverinë, pushtetin lokal, pra komunat, si dhe për sektorin privat, sikurse edhe propozimin për lehtësirat dhe incentivat fiskale, biznesore dhe ato për zonat ekonomike, me opcione dhe përshkallëzime adekuate, duke pas parasysh edhe ato regjionale dhe përparësitë e vendit tonë, dhe të sektorit privat, gjithnjë duke promovuar investimet e huaja dhe promovimin e sektorit privat dhe eksporteve”, tha Jetullahu.
Ibrahim Rexhepi, hulumtues nga Prishtina REA, prezenton studimin dhe të gjeturat e tij. Një anë e pakonsoliduar mbeti gjithnjë – investimet në përgjithësi, së bashku me investimet e huaja direkte. Ndonëse mund të ketë arritje në lehtësirat e të bërit biznes, por ato kryesisht kanë të bëjnë kryesisht me çështje procedurale e administrative.
“Ndërkaq, në ambientin dhe klimën e të zhvilluarit dhe për operimin e biznesit, problemet janë të theksuara. Kanë ashpërsi, shantazhe, gjyqësi të varfër e të vonuar dhe mungesë të frymës së partneritetit publiko-privat, e plot privatizime të dështuara”, tha Rexhepi.
Ai theksoj se gjatë periudhës 2010-2014 janë hapur 44,408 biznese të reja ndërsa janë shuar 6,804 biznese. Ambienti jo atraktive dhe jo aq i sigurt ka ndikuar në rënien e investimeve të huaja, nga 384,6 milionë euro sa ishin në vitin 2011, në rreth 125,3 milionë euro në periudhën janar-shtator 2014.
“Niveli i investimeve është përkeqësuar edhe në sektorin privat, prandaj, rritja ekonomike kryesisht, vjen nga investimet në sektorin publik. Mirëpo, kjo strukturë e investimeve nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, përfundoj ai.
Zëvendës shefi i operimeve i Bashkimit Europian, Zyra në Kosovë, Libor Chlad, theksoi fuqishëm se koncepti I zhvillimit të sektorit privat drejt promovimit të investimeve dhe lehtësirat e incentivat e favorshme biznesore e fiskale, është një qasje e model i përkrahjes së bizneseve në BE, që është dëshmuar të sjellë rezultate kontribute reale të çmueshme, pra, ne e promovojmë këtë, si një Platformë Zhvillimore Biznesore e praktikave të mira Europiane.
Ndërkaq, Mustafë Hasani nga Ministria e Financave kryesisht u fokusua në programin e Qeverisë, i cili, sipas tij, përmbushë numrin më të madh të kërkesave që vijnë nga bizneset. Aprovimi i ligjeve të reja dhe reformave që pritet të bëhen do të lehtësoj punën në sektorin privat, do të nxitës investime të brendshme dhe nga jashtë, ofrojnë garanci të qëndrueshme për biznesin dhe kapitalin tij, si edhe një ambient më konkurrues në trfe.
Përfaqësuesi nga bizneset, Visar Kelemendi, pronarë i kompanisë “Rugova”, pasi bëri një përshkrim historik rreth zhvillimeve në sektorin privat, theksoj se atë në situatë të rëndë e ka sjellë mungesa e politikave të qarta zhvillimore e strategjike qeveritare, mbështetja dhe stimulimi i importit në dëme të prodhimit vendorë, si edhe hapja e shpejtë e tregut, e që ka goditur rëndë biznesin, i cili ishte në fazën embrionale të zhvillimit.
“Sektori provat e mbijetoj edhe këtë situatë, mirëpo, ai pret që qeveritë të këndellën dhe të kuptojnë rëndësinë që ka ai. Të përkrahin, të ndihmojnë dhe të nxitin atë përmes masave e incentivave, meqenëse zhvillimi dhe punësimi mund të ndodhë vetëm përmes sektorit privat”, theksoj Kelmendi.
Behxhet Haliti, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, paralajmëroj për ligjet e reja që tashmë janë në fazën e përfundimit, përmes të cilave bëhet reformë esenciale e sistemit fiskal në vend.
Sipas këtij studimi, për të cilin janë shfrytëzuar edhe intervistat e zhvilluara me bizneset, ekonomia informale vazhdon të konsiderohet pengesa kryesore; pastaj konkurrenca e pandershme; problemi i furnizimit me energji elektrike; ngarkesat fiskale; mungesa e investimeve në infrastrukturë për nevojat e biznesit; ngarkesat tjera administrative dhe ligjet e mos-zbatueshmeria e tyre. Është identifikuar se numri më i madh i problemeve ndërlidhet me importin.
Njëri ndër problemet më të theksuara nga bizneset është mbikëqyrja dhe funksionimi i tregut, përkatësisht, konkurrenca e pandershme, e cila ende ka përmasa të mëdha. Me këtë problem ballafaqohen të gjitha bizneset, pa marrë parasysh sektorin në të cilin ata veprojnë. Të dhënat tregojnë gjendjen alarmante-pjesëmarrja e ekonomisë joformale në BPV është ndër më të lartat në rajon – 26.67 – 34.75 për qind.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova ngecë dukshëm në ofrimin e insentivave për bizneset prodhuese, që punësojnë shumë dhe janë të orientuara në eksport. Nga ana tjetër, vendet e rajonit, si Serbia e Maqedonia ofrojnë lehtësira për investime, pushime fiskale, shfrytëzim të parcelave me tërë infrastrukturën.
Për më shumë, ky studim ka marrë për bazë shumë faktorë industrial edhe të konsumit e tregut, pastaj importit si dhe trendeve në regjion, përparësive sektoriale, aspektit të politikave fiskale, biznesore dhe tregtare si dhe të marrëveshjeve me BE etj.
Prezantohen edhe analiza krahasuese sikurse aspekti i potencialeve për të gjitha komunat e regjionet e vendit, sipas fushave përkatëse, për të ofruar një matje praktike për nivelin e ambientit dhe klimës biznesore dhe benefitet për investime dhe IHD po ashtu.
Ofrohen edhe rekomandime për produktet e tregjet ku sektori privat ka, apo mund të ketë përparësi. Qeveria do të kishte mundësi të bënte më shumë e më mire për inicimin e politikave “Smart” për të shtyrë e përkrahur edhe Inovacionin Binzesor, respektivisht.
Synim parësorë ishte edhe ai që studimi të ndihmoj jo vetëm investimet e sektorin privat, por edhe Qeverinë, që programi i saj të përshtatet sa më mirë me ambientine rrethanat, sikurse që edhe donatorët të kenë një Pasqyrim shumë real e praktik sa i përket programeve të tyre në vazhdim. /Telegrafi/