Ngjarjet e viteve 1968 dhe 1981, që lidhen me raportet e ish-Jugosllavisë me Shqipërinë deri tani kanë njohur interpretime nga më të ndryshmet.
Për këtë arsye politikani e diplomati, Esat Myftari tregon se nisi punën për librin e tij Kosova dhe Enver Hoxha, sjellë përmes dokumenteve arkivore të pabotuara deri më sot.
Myftari ka shfrytëzuar dosjet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Në këto dokumente shprehet se ka gjetur ngjarje, zhvillime politike e kulturore, emra njerëzish të njohur personalisht ose të dëgjuar, të cilët lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi, që përmbanin motivin dhe objektivin e raportimeve të diplomatëve shqiptarë, sidomos të atyre të akredituar në Beograd, Vjenë, Ankara, Stamboll e Paris. Sigurisht disa emra që përmenden sot nuk janë gjallë.
“Dokumentet që janë shfrytëzuar për këtë libër janë kryesisht raportimet e diplomatëve tanë, por të shkruara në sfondin e përvojës dhe vëzhgimeve vetjake përgjatë gjysmë shekulli si ‘emigrant kosovar’. Duhet pasur parasysh se raportimet janë bërë prej diplomatëve tanë ideologjikë, me hapësinë fort të ngushtueme monovrimi a nisme vetjake. Por gjaja tjetër që bie më shumë në sy e që të befason megjiahtë për mirë, asht përmbajtja e këtyne raportimeve: Në to nuk ka aq fanatizëm ideologjik sa kisha kujtue, madje herë-herë ka nji shqetësim atdhetar e objektiv të pasqyruem për veshin e eprorëve të tyne. E në këtë pikë, ata janë të zotë e të ftohtë. Sidoqoftë, për shkak të vendeve ku shërbenin dhe natyrës së kontakeve të tyne njerëzore, përzgjedhja e diplomatëve tanë ka pasë nji karakter specific: Atje qenë emnue, sidomos në momente delikate, përgjithësisht njerëz që kishin shërbye në organet sekrete shqiptare, e që e njihnin nga afër problemin shqiptar dhe strukturën e gjallë të saj” thotë Myftari në parathënie. Në këtë frymë e praktikë të njohur vendin më të spikatur e zinte nomenklatura shqiptare e Kosovës, ku autori përmend disa antarë të saj si Fadil Hoxha, Ali Shuria, Veli Deva, Xhavit Nimani, Ismet Shaqiri, të cilët kishin dalë nga lufta, por edhe të shkolluar në Shqipëri që kishin njohje personale apo miqësi me diktatorin.
***
Si u pa që Enveri doli kundër statusit republikë, kosovarët e kuptuen se do të ishte thjesht aventurë të hapej fronti i dytë me Shqipninë, sepse këtë gja mezi e prisnin serbët. Prandaj mblodhen forcat për me e ndjekë rrugën e amendamenteve të inicueme prej Titos si mjete juridike të reformave e, mbi të gjitha, të decentralizimit të pushtetit politik dhe ekonomik.
Nga ana tjetër, si pjesë kompensimi, Enveri mori rrugën për Tropojë, ku mbajti fjalimin e njohun për bashkëpunim me Kosovën dhe shprehu “gatishmërinë e Shqipërisë për t’u ardhë në ndihmë vëllezërve kosovarë”.
Fjalim që u pritë mirë në federatë dhe në qarqet arsimore të Kosovës.
Filloi kështu dekada e bashkëpunimit shqiptaro-kosovar 1970-1980 që mund të përkufizohet edhe si dekadë e zhvillimit të Kosovës në rrugë kushtetuese dhe komunikimit e njohjes ndërshqiptare mbas atij veçimi çnjerëzor 25-vjeçar.
Në këtë klimë të re do të merrnin udhë disa aktivitete që do të mbanin doemos vulën e këtyne ndryshimeve. Në larminë e tyne, ato përbanin gjithë mozaikun e marrëdhanieve shqiptaro-kosovare, gjithsesi të dobishme e të shënueshme për të dyja vendet.
Diskutimi i amendamenteve
Amendamentet, me të cilat mendohej t’i jepej formë reformave dhe konsolidimit të decentralizimit, ishte fushë-beteja e kësaj dekade që po shqyrtojmë dhe, në mjaft pikëpamje, ato përcaktonin fatin e kosovarëve.
Serbia kishte vendosë me ndjekë vijën e hapun kundër përfshimjes së krahinës së Kosovës në këtë lloj reforme. Ajo gjykonte se zgjanimi i autonomisë së Kosovës do ta zbehte shumë kontrollin e saj mbi krahinë, dhe se do të përgatiste në këtë mënyrë kushtet objektive për shkëputjen progresive të saj nga Serbia në trajtën e republikës së shtatë të Jugosllavisë (reminishencë e nji projekti të vjetër për Shqipninë e E. Hoxhës!).
Por edhe Fadil Hoxha me shokë – dhe këtu banin pjesë nji numër i vogël kuadrosh drejtues serbë vendorë – po kështu e quente krejt të pavend përjashtimin e Kosovës nga këto reforma, sa kohë që ajo me ligj do të mbetej pjesë e Serbisë. Prandaj, më 8 janar 1971 u mbajt mbledhja e zgjanueme e kryesisë së konferencës republikane të Lidhjes Socialiste të Serbisë në Beograd, kushtue këtyne problemeve. Në grupin e kosovarëve bante pjesë treshja e njohun: Fadil Hoxha (anëtar i Byrosë ekzekutive të LKJ-së), Asllan Fazlia (Kryetar i Konferencës krahinore të LS së Kosovës) dhe Ismajl Bajra (Drejtor i të përditshmes “Rilindja”).
Ky ballafaqim u zhvillue në nji atmosferë të ndeme, sepse shtypi serb, ndryshe nga ai krahinor dhe ai i republikave të tjera, kishte raportue sikur atje poshtë, në Prishtinë, qe përgatit shkëputja e Kosovës nga Serbia, madje me praktika pothuej konspirative. Të ndodhun para akuzash kaq të ashpra treshja kosovare e ndjeu veten të mbështetun për muri, prandaj detyrimisht duhej të kundërsulmonte me forcë e pa mëdyshje. Aq ma parë që kishin përkrah Titon. Dhe në fakt, qendrimi e fjala e të treve ishte në nivelin që e kërkonte momenti. Natyrisht, kjo treshe nuk ishin kopja e njeni-tjetrit, jo vetëm për shkak të posteve të ndryshme që mbanin, por edhe për shkak të meritave personale e historisë së tyne të ndërlikueme në raport me PKJ-në. Në këtë kuptim, fjala e Fadil Hoxhës u prit me interes të veçantë. Të gjithë e dinin se për shumë probleme shqiptare, sidomos mbas largimit të Rankoviqit, ai ishte pothuej alter egoja e Titos. Por, pak kush e dinte, ndoshta asnjeni prej të pranishmëve në sallë, edhe pjesën e fshehtë të Enver Hoxhës në mendimet e qëndrimet e F. Hoxhës.
Për t’iu përgjigj pyetjes që kishin ngritë gjithandej serbët nëse edhe Kosova si krahinë e Serbisë që ishte duhej të përfshihej në ndryshimet e sistemit politik, përgjigjia u dha në mënyrë mjaft ekstensive, ngapak edhe patetike. Thuhej se në këtë mënyrë kundërvuemjeje kishte dorë edhe kroati Mika Tripallo, si këshilltar i pashpallun i F. Hoxhës, herë mbas here edhe speech-maker i tij. Prandaj, për të largue dyshimin kryesor serb, ai doli jashtë argumenteve aktualë dhe në zellin për të qenë sa ma i pranueshëm për udhëheqjen në mjedisin serb, ai iu referue historisë në mënyrë shumë spekulative dhe rrejti pa fije skrupulli kur tha:
“Ne më 1945 në mënyrë vullnetare ju bashkuam Republikës Federative të Serbisë, në marrëveshje midis popullit të Kosovës dhe popullit të Serbisë… Ne nuk iu imponuem Serbisë, dhe as nuk u përdor ndonji forcë që ne këtë ta banim, por në mënyrë vullnetare e në interes të dy popujve…”
Pjesa tjetër e fjalës së tij reflekton nji argumentim të menduem mirë, jo për të arritë statusin e dëshiruem prej popullit shqiptar të Kosovës, por për të përligjë tërheqjen e tij nga qëndrimi i parë pro Kosovës republikë dhe për të ripërtri besimin e eprorëve te ai. Me këtë spjegohen edhe formulimet e tija si: “…Nuk ka asnji argument, nuk jepet as edhe nji argument se afirmimi i krahinave autonome, afirmimi i gjithë këtij procesi të zhvillimit, do të çojë në pozitë jo të barabartë republikën e Serbisë.
Argumente nuk ka as në materialet që ne kemi lexuar, dhe as në ato që u folën sot. Asnjeni prej nesh nuk do ta dëshironte këtë, dhe as populli i Kosovës. Ata dëshirojnë vetëm afirmim të plotë të krahinës në të gjithë këtë sistem, dhe ne si përfaqësues të tyne, jemi të detyruem që të theksojmë dhe ta mbrojmë, mbasi në të kundërtën do të humbim prestigjin që ne kemi atje dhe besimin që na është dhënë, dhe të tjerët do ta marrin çështjen në duert e tyne, në rast se nuk veprojmë kështu…”
Ky kërcënim i Fadilit jo vetëm që prekte arsyetimin logjik, por edhe bante aluzione për demonstratat e para nji viti që kishin dëshmue forcën e rinisë kosovare dhe gatishmëninë për sakrifica. Dhe fjalën e vet e mbylli me nji pohim goditës:
“Nuk polemizoj, dhe nuk dëshiroj të polemizoj me ata njerëz, të cilët asnji herë nuk kanë mundun të na kuptojnë ndryshe por si qiraxhinj në këtë vend. Forcat subjektive në këtë vend, komunistët në Kosovë, dhe forcat e tjera, asnjëherë nuk e kanë pa veten, as në Republikën Demokratike Federative të Jugosllavisë, as në përbamjen e Republikës Socialiste të Serbisë si qiraxhinj, as nuk e ndijnë veten “si në shtëpinë e tyne”, por pikërisht në shtëpinë e tyre…”.
Dragosllav Markoviq, Kryetar i Komisionit Kushtetues të Kuvendit të R.S. të Serbisë, i njohun prej të gjithëve për ndjenjat e tija antishqiptare, i cili kishte mbajtë pak ma parë referatin kryesor në të cilin qe mundue të argumentonte përjashtimin e Kosovës nga ky proces reformash, nuk u impresionue gjithaq nga argumentet e Fadilit sa nga toni pothuej kërcënues i tij pikërisht në kuvendin serb, ndaj iu shmang përplasjes me te. E kishte të qartë se mbrapa Fadilit qëndronte Tito dhe pena “dinake” e Tripallos.
Vizita e Titos në Kosovë – prill 1971
Tito kishte qenë edhe dy herë të tjera në Kosovë, por ato vizita për nga randësia ngjanin me ndodhi periferike politike. Jo se në vetvete ato s’kishin pasë peshën që u përkisnin – fundja vinte për vizitë i pari i nji regjimi autokratik – por sepse raporti Kosovë-Serbi kishte pasë konfiguracion tjetër. Kurse tash, as Serbia nuk ishte ma ajo e ditëve të freskta të mbas përmbysjes së Rankoviqit kur qe diskreditue e mund të përfitohej shumë nga gjendja e saj, as Kosova nuk shihej ma si viktimë e pranueme e me të drejta të plota kompensimi. Në këtë kuptim, vizita e Titos merrej si prekje pulsi për gjendjen reale të krahinës dhe si premtim për perspektivën e afërme të saj. Demonstratat e vitit 1968 ende vazhdonin me efektet e tyne dhe në qoftë se Titoja ia kishte dalë ta amortizonte kundërgoditjen serbe, kjo nuk do të thotë se ishin amnistue plotësisht edhe “teprimet” e kosovarëve. Nga ana tjetër, kërkesa për Kosovën republikë tashma qe shqiptue si ambicie e parevokueshme dhe e hapët e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi, kurse masa shpërthyese në qytetet kosovare, sidomos në Prishtinë, e bante këtë ambicie shumë serioze. Prandaj vizita e Titos u pritë me interes të veçantë prej të gjithëve, sepse ishte e paracaktueme për me rrezatue ndikim të veçantë edhe për ecuninë e matejshme të amendamenteve. Por, në mungesë të nji polemike të lirë, të trija palët u shërbyen me gjeste ndërkëmbyese, të cilat doemos do të zbërtheheshin në mënyrë të plotë e pa dykuptimësi në Plenumin e Brioneve. Për aq sa kishin në dorë, palët i dhanë mesazhet e tyne.
Pjesa e zemrueme e kosovarëve, sikurse njoftojnë pedagogët e Shkencave të Natyrës të Tiranës, pakënaqësinë e tyne e shprehën “përmes indiferencës së theksueme, nuk pati asnji brohoritje me përjashtim të fishkëllimave që shoqnuen korteun.
Edhe kur Tito u fut në rektorat – bëhej mësim. Agani e Daci ndejën me pedagogët e Tiranës dhe refuzuen me dalë në rresht para fakultetit. Gjashtë flamujt: të Jugosllavisë, Serbisë, LKJ-së, Turqisë, Shqipërisë dhe flamuri ndërkombëtar i minatorëve, zhduknin çdo gjurmë a simbol të krahinës me shumicë dërmuese shqiptare. Kishte vetëm zbukurime të thjeshta, të zhveshuna.
Frazeologjia e fjalimeve vërtitej rreth vllaznim-bashkimit e ndihmës ekonomike…” shkruenin ata në relacionin e tyne.
Sidoqoftë, mendimi i përgjithshëm ishte se objektivi kryesor i kësaj vizite qe goditja e Serbisë, meqë atje klani i Rankoviqit, i kryesuem prej Dobrica Çosiçit, tashma po e merrte veten dhe po sinjalizonte nevojën e kthimit te parimet centraliste. Ky grup kishte përfshi intelektualë të njohun serbë dhe nji pjesë të mirë të profesoratit të Beogradit. Dueli filloi qysh ditën e mbërritjes së Titos në Mitrovicë. Atje ai u prit me përzemërsi të madhe prej Veli Devës. Tito, madje, e puthi. Por nji shenjë e tillë simpatie publike i tërboi serbët. Aq ma fort kur në të gjitha fjalimet e tij, Tito nuk tha pothuaj asnjë fjalë të mirë në adresë të udhëheqjes së Serbisë, përkundrazi në forma të ndryshme i dënoi prirjet shoviniste të shtetit të madh (çka nënkuptonte Serbinë). Si kundërpërgjigje, në njoftimet e ditës së parë të mbërritjes së tij në Mitrovicë, televizioni qendror nuk e përmendi fare faktin se Titon e shoqnonte Fadil Hoxha, kurse gazeta “Borba” e 15 prillit, organ i afërt me partinë, dha vetëm njoftim mbi mbledhjen e aktivit politik të Kosovës. Të nesërmen, si “Borba” ashtu dhe “Politika”, botuen shkurt fjalimin e Titos në këtë aktiv, po atë tekst që e kishte dhanë edhe Tanjugu. Ishte hera e parë që shtypi qendror dhe ai serb i banin nji obstruksion të tillë të qartë, të premë e pa pikë rezerve. Lanë po kështu në heshtje edhe fjalën e tij mbi marrëdhaniet e Jugosllavisë me vendet e tjera, për të cilat thuhej se Tito kishte folë gjatë. E gjithë kjo u komentue si guxim i tepruem. Dhe paradoksi ishte ky: kundërshtimi i vinte mu prej liberalëve, të cilët kishin qenë ma dashamirës ndaj reformave kushtetuese se sa të gjitha rrymat e tjera serbe, të kohës ose të traditës. Por, me sa dukej, mospajtimet e tyne rreth Maspokut – Nikeziqi (kryeministri serb) nuk u ba pjesë e korit kundër kësaj lëvizjeje – qenë thellue shumë e s’kishte ma kthim mbrapa as midis tyne.
Por kulmi i qendrimit anmiqësor të shtypit serb arriti kur “Politika”, për mbledhjen e aktivit politik të krahinës, botoi pjesë të shkurta të diskutimeve kryesore të mbledhjes, ndërsa nga ana tjetër i dha vend të randësishëm diskutimit të anëtarit të këshillit federativ Pavël Zaviçeviç, i cili në fjalimin e tij theksoi me të madhe rrezikun që u vjen serbëve në Kosovë prej shqiptarëve, “duke vënë gjithashtu pjesë edhe nga diskutimi i Katerina Paternogiqit, që e hidhte poshtë si pabazë një argument të tillë”.
Përqendrimi i Titos gjatë kësaj vizite në çeshtjet ekonomike mund të merrej edhe si nji taktikë, sepse ai kishte nji arsye të fshehtë që të vepronte kështu. Së shpejti do të mbahej plenumi i ri në Brione ku do të merreshin vendime me peshë, ndaj nuk donte të konsumohej e të ngjallte zhurma të parakohshme. Ai u mjaftue për publikun me fjalët: “krahina ka parashtruar disa kërkesa të inkuadruara në amendamentet konstitucionale në diskutim dhe premtoi se këto kërkesa do të diskutohen midis komunistëve kur ai të kthehej në Beograd”. E vetmja pikë, ku ai nxori dhambët në mënyrën e tij karakteristike, ishte sfera ekonomiko-morale.
Ambasadorit ynë, Lika, njoftonte: “Nga sa u njoftua në televizion dhe nga sa u botua në shtyp, të tërheq vëmendjen fakti se Tito kritikoi pa emër kuadro kryesore që drejtojnë ekonominë e vendit dhe paralajmëroi se do të merren masa ndaj tyre. Theksoi se edhe në të kaluarën siç është fjala në kongresin e sindikatave më 1968, ose në prag të kongresit të 9 të LSJ më 1969, ai bëri paralajmërime të tilla dhe në fakt u morën një seri masash duke larguar nga postet kryesore mjaft persona të ndryshëm”. /mapo.al/