Të shumtën e rasteve prindërit përballen me net të gjata pagjumësie pas lindjes së fëmijës, të paktën gjatë vitit të parë të jetës.
Këto net të kaluara pa gjumë mund të ndikojnë shumë negativisht në jetën e tyre, sidomos nëse janë të vazhdueshme dhe nëse ditën tjetër prindërve do t’u duhet të shkojnë edhe në punë. Gjatë muajve të parë të jetës fëmijët e vegjël flenë për shumë orë në harkun kohor të 24 orëve, por asnjëherë për më shumë se gjashtë orë pa ndërprerje, kjo pasi fëmija ka nevojë për t’u ushqyer shpesh, megjithatë ka fëmijë që nuk mund të qëndrojnë në gjumë as më shumë se tre orë.
Disa fëmijë flenë shumë pak dhe bëjnë një gjumë aspak të qetë, kanë një gjumë të irrituar dhe shpesh shfaqin nevojën e kujdesit të prindërve në mënyrë që të jenë në gjendje të vazhdojnë të flenë përsëri. Duke qenë se kjo është shumë e lodhshme dhe aspak e mirë për prindërit, duhet të merrni në konsideratë disa veprime që duhen bërë gjatë ditës në mënyrë që fëmija të bëjë një gjumë më të qetë gjatë natës.
Por, cilat janë këto veprime?
Deri në këto momente janë shkruar shumë libra si edhe janë bërë studime të ndryshme në lidhje me mënyrën se si duhet të veprojnë prindërit për ta ndihmuar fëmijën të bëjë një gjumë të qetë.
Pavarësisht mënyrës që do të vendosni të praktikoni me fëmijën tuaj, duhet të dini se fëmija ka nevojë të ndihet i sigurt edhe ndërsa është gati për të fjetur gjumë, dhe këtë do ta bëjë duke ndier prezencën tuaj afër. Veprimet e mëposhtme, (kontrolli i të qarës së fëmijës me anën e prekjes, por pa i folur apo e marrë në krahë), e sigurojnë fëmijën që ju jeni atje dhe nuk e keni braktisur.
Ja si të ndihmoni fëmijën të flejë më i qetë gjatë natës:
• E mbani pranë vetes sa më shumë të jetë e mundur
Përpiquni që gjatë ditës fëmija të qëndrojë sa më shumë të jetë e mundur pranë jush, duke mos ja mohuar në asnjë mënyrë kontaktin me ju. Për ta bërë sa më të lehtë një gjë të tillë mund t’ju vijë në ndihmë përdorimi i marsupit. Para se ta vendosni fëmijën në shtratin e tij duhet ta përkëdhelni sa më shumë, ta puthni si edhe t’i flisni me zë të qetë. Një alternativë shumë e mirë do të ishte edhe këndimi i një ninulle të cilën duket se fëmijët e vegjël e vlerësojnë së tepërmi.
• E ndihmoni të bëjë dallimin midis ditës dhe natës
Fëmijët e vegjël e fitojnë shumë ngadalë këtë aftësi, kështu që do të ishte shumë mirë nëse ju do të përpiqeshit ta ndihmonit atë. Por si mund ta bëni këtë? Gjatë ditës duhet të luani dhe të bëni aktivitete të ndryshme, t’i flisni sa më shumë , t’i këndoni këngë, pra të përpiqeni ta mbani aktiv fëmijën. Të kundërtën duhet të bëni gjatë natës, nëse fëmija juaj fillon të qajë për t’u ushqyer, duhet t’i ofroni gjirin apo biberonin në momentin që ai nuk është zgjuar plotësisht nga gjumi, duke e bërë këtë gjithmonë pa ndezur dritën dhe pa bërë zhurmë. Nëse fëmija ka nevojë që gjatë natës të ndërrohet duhet ta bëni këtë sa më shpejt të jetë e mundur dhe pa përdorur letra të lagura shumë të ftohta (e ngrohni më parë me duart tuaja, duke e prekur). As në këtë rast nuk duhet të ndizni dritë të madhe në dhomë. Kjo do të jetë një mënyrë e mirë për ta bërë fëmijën të kuptojë se nata është për t’u qetësuar dhe jo për të qëndruar zgjuar.
• Krijoni një rutinë darke
Duhet të krijoni një rutinë të përditshme të cilën duhet ta ndiqni çdo mbrëmje me shumë përpikëri. Rutina mund të përfshijë një banjë të ngrohtë, një ninullë, një përrallë, një masazh etj. Ju duhet të përpiqeni të kuptoni se çfarë aktiviteti e qetëson më tepër fëmijën tuaj dhe më pas ta përfshini në rutinën e mbrëmjes, në këtë mënyrë fëmija do ta kuptojë se çfarë veprimi pason, pra në këtë rast gjumi.
• Evitoni substancat që mund të shqetësojnë fëmijën
Nëse jeni duke e ushqyer fëmijën me gji duhet të evitoni konsumimin e kafesë, çajit, çokollatës, xhinxherit, nikotinës dhe të gjitha substancave të tjera që mund ta ngacmojnë fëmijën. Nëse e keni shumë të vështirë të qëndroni pa kafe duhet të limitoheni duke pirë një filxhan në mëngjes. Nëse ju vetë vuani nga pagjumësia, mund të konsumoni një filxhan kamomil në mbrëmje ose magnez (nëse nuk e merrni mjaftueshëm nëpërmjet ushqimeve). /KP/