Telegrafi

Për gjashtë muaj, 60 të vdekur në aksidente, IKSHP del me rekomandime

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik.

IKSHP përmes një njoftimi për media referuar statistikave të Policisë së Kosovës thekson se vetëm në periudhën janar-qershor të këtij viti 60 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe 5629 persona janë lënduar lehtë e rëndë.

“Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes”, thuhet në njoftim.

Në reagim më tej thuhet se qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë.

“Te autorët e aksidenteve vërehet mungesë e edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve, mosdhënien e përparësive në komunikacion në mes tjerash si persona egocentrik, të prirë të perceptojnë se bota sillet vetëm rreth tyre, vështirë të shohin rrethin dhe të akseptojnë të tjerët, ku veten e perceptojnë në piedestalin e kontrollit absolut ndaj të tjerëve”, thuhet në reagim.

Instituti Kombëtar jep këto rekomandime:

Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundërvajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme. /Telegrafi/