Site icon Telegrafi

Për Gërvallën, LDK-ja është “e sëmurë për vdekje, por nuk ka vdekur”

Donika Gërvalla, kryetare e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, po kërkon llogari nga kryetari i partisë, njëherësh edhe kryeministër i vendit, Isa Mustafa, dhe nga sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri, për ngjarjen e fundit në takimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku asaj iu ndalua hyrja dhe u tërhoq zvarrë prej dy personave që po qëndronin në hyrje të sallës.

Gërvalla, që është e bija e Jusuf Gërvallës, të hënën ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj Mustafës, Beqirit dhe dy personave të tjerë, të cilët, siç ka thënë ajo, nuk ishin roja të sigurimit, por shoferë, shkruan sot Koha Ditore.

Në këtë kallëzim penal Gërvalla thotë se Mustafa e Beqiri i kanë shtyrë dy personat para derës së sallës që t’ia ndalonin hyrjen dhe të kryenin sulm fizik ndaj saj.

“Paraqes kallëzim penal ndaj Isa Mustafës e Ismet Beqirit për shtyje me dashje në sulmin fizik ndaj meje, si dhe pengim në ushtrimin e detyrës e të drejtave që burojnë nga akti themelor i LDK-së”, thuhet në kallëzimin e Gërvallës.

Dy personat me të cilët është përleshur, ajo thotë se nuk ka arritur t’i identifikojë krejtësisht, por se ka mësuar se janë shoferë e jo roja të sigurimit.

Gërvalla ka thënë se LDK-ja është “sëmurë për vdekje, por nuk ka të vdekur”.

Ajo ka thënë për ‘Kohën Ditore’ se është kureshtare për të parë nëse organet e drejtësisë do ta ndjekin këtë rast siç e kërkon ligji.

Exit mobile version