Site icon Telegrafi

Për Georges Brassensin…

Luan Rama

Një kitarë është një kitarë e s’mund të jetë tjetër, veçse një kitarë. Por, megjithatë, kitara ka shpirt. Ajo këndon.

E keni dëgjuar Georges Brassensin?

Ka qenë banor i lagjes sime në Paris; një banor i jashtëzakonshëm që ka jetuar 200 metra më larg, ku sot shumë vizitorë kureshtarë për jetën e artistit shkojnë në atë rrugicë të ngushtë, në “9, Impasse Florimont”, të shohin strehën ku për 22 vjet me radhë jetoi këngëtari, poeti dhe kompozitori i shquar i Francës së pasluftës – Georges Brassens. Kur unë u vendosa në këtë lagje, ai kishte vite që kishte vdekur. Atje ndodhet ende ajo shtëpiza e ulët, ai oborr i vogël, që kur ai shkeli për herë të parë në vitin 1943.

Aty jetonte një çift anonim, Marcel dhe Jeanne Planche … Në atë portë, ai do të shikonte për herë të parë atë që do të ishte e dashura e tij, edhe pse 30 vjet më e madhe. E megjithatë, në dashuri s’ka moshë, por ka ndjenjë, dëshirë, përkushtim.

Meqë adoleshenca e tij ishte e stuhishme dhe prindërit shpesh shkonin dhe e merrnin në polici për plaçkitjet që bënte me bandën e tij, ata e dërguan në Paris te tezja Antoinette. Dy vjet pasi erdhi në Paris, meqë Franca ishte pushtuar nga ushtria hitleriane, ai fillimthi punoi në uzinën Renault-it. Kur këto uzina u bombarduan, më pas u detyrua të shkojë në Gjermani, në uzinat e cilindrave të avionëve BMW në Bandsford, sipas urdhrit të autoriteteve gjermane për “Shërbimin të detyruar”. Një vit më vonë, duke përfituar nga një leje për të ardhur në Francë, zbarkoi në Paris dhe u fsheh në shtëpinë e mikeshës së tezes së tij, Jeanne Planche.

Ishte mars i vitit 1944 dhe jashtë ishte shtetrrethim… Këtu nis dhe historia e një dashurie të madhe. Ai mendoi se do të fshihej atje veçse disa kohë nga spiunët e Gestapos, por kur tanket e gjeneralit francez Leclerc hynë në Paris, përsëri do të qëndronte aty. Si mund të ndahej nga Jeanne? Vitet do të pasonin njëri-tjetrin dhe kjo do të zgjaste plot 22 vjet. Lexonte Guillaume Apollinaire, François Villon, Paul Fort…

Ishte poet i lindur. Herë pas here, do të takonte vajza simpatike dhe historitë e tij do të ishin të shkurtra. Në fillim 17-vjeçarja Jo, pastaj të tjera që binin shpejt në dashuri me djaloshin simpatik me mustaqe që dinte aq bukur të këndonte. Por, kthehej gjithnjë te Jeanne, atje në atë vatër të ngrohtë dashurie. Ishte e ëmbël Jeanne, ishte bujare, por ajo dhe Marcelin nuk mund ta linte. Ishte ajo që me paratë e saj i bleu një kitarë. Ishte Jeanne dhe i urti Marcel që dëgjonin të parët këngët e tij. Dukej sikur Jeanne ishte dhe e dashura, edhe nëna që i mungonte dhe që jetonte atje larg në Sete, buzë Mesdheut.

“Tek Jeanne … Jeanne, hoteli i saj është i hapur për njerëz pa zjarr, pa strehë, mund ta quajmë streha e Zotit të mirë nëse nuk do gjendej një tjetër, e fundit ku mund të hysh pa trokitur, pa treguar se kush je …”.

Kur tezja Antoinette i vdiq, ajo piano e vogël e saj erdhi aty në Impasse Florimont. Brassens luante edhe pse nuk e njihte solfezhin. Spektatorë të tij do të bëhen të gjithë antimilitaristë dhe antiimperialistë, ata që ishin kundër luftërave dhe që luftonin për të drejtat e punëtorëve. Ja pse ata krijuan shoqatën “Le Monde libertaire”. Jeanne shërbente, u jepte dashuri dhe Brassens këndonte gjer natën vonë.

Kështu filloi karriera e artistit me mustaqet dhe llullën e tij të përhershme në gojë: nga ajo kthinë e vogël ku flinte në kuzhinë, te kabaretë e para e më pas në suksesin e madh të skenave të Olympias.

Kur ishin vetëm, Brassens vazhdonte t’i këndonte të dashurës së tij: “Tek Jeanne … Jeanne, kushdo mund të vijë, s’dihet nga dhe si mrekullisht, nga gëzimi ne bëhemi si njerëz të një familjeje, në zemrën e saj e shtyjmë nga pak, por ende ka dhe një vend tjetër…”! Më pas, në jetën e tij hyri një estoneze e bukur që njohu në Paris, Joha Heiman. Ai e quante Pupchen, që në gjermanisht do të thoshte “kukull e vogël”. Asaj i kushtoi aq këngë të bukura, si: “Kam një takim me ty”, “Sa i vogël u bëra para teje” apo “Moskërkesa për martesë”… Edhe ajo ishte dhjetë vjet më e madhe se ai, por dashuria e tyre do të jetonte gjatë aq sa para se të vdiste ajo kërkoi të varrosej në varrin e tij.

Ishte kjo dashuri që e detyroi Brassensin të ikte më së fundi nga Impasse Florimont drejt një jete tjetër, edhe pse Jeanne mbeti mikesha më e madhe dhe e paharrueshme për të. Kur Brassens u largua, ai do të bënte karrierën e artistit të madh dhe një prej këngëtarëve dhe kompozitorëve më të mëdhenj e më origjinalë francezë, krahas Jacques Brel, Leo Ferré, Edith Piaf, Serge Gainsbourg …

Edhe pse vdiq shpejt, në moshën 60-vjeçare (1981), kënga e tij poetike vazhdoi udhën e vet, pasi është kënga e njeriut të thjeshtë, e njeriut të rrugës, e udhëtarit në kërkim të një bote më të mirë e më humane, siç këndon dhe në atë këngë të mrekullueshme që ende e dëgjoj, kur djaloshi me një çadër të vjetër mbulon me të një vajzë në shi: Sa ëmbël ishte tek ecnim të dëgjonim të dy atë këngë të bukur që krijonte uji qiellor mbi çatinë e çadrës time…

Dëgjoj Brassensin dhe meditoj për dashurinë e njeriut: vallë a ka barrierë moshe, ngjyre, kombësie?

Exit mobile version