Viti 2017 ka qenë një vit i mbushur me ngjarje për qytetarët e Kosovës, ndërsa me afrimin e festave, duket se të gjithë janë në harmoni dhe të gëzuar, teksa presin ardhjen e vitit të ri 2018.
Sheshet janë zbukuruar, në çdo vend ka drita, dhuratat po shpërndahen, e mesa duket një shpirti i tillë festiv ka arritur edhe në familjen kryeministrore, e cila gjithmonë gjendet në fokus të medieve dhe publikut.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka cilësuar vitin 2017 si një vit të sukseseve, ndërsa ditët e fundit të këtij viti sigurisht që vazhdojnë me punë, por që gjithmonë gjendet koha edhe për të festuar.
Telegrafi vizitoi shtëpinë e familjes Haradinaj për fundvit, të cilët mes dekorimesh e dhuratash, po e gjenin vetën në atmosferën e këndshme të festave.
Më të entuziazmuarit e familjes duket të ishin tre fëmijët e çiftit kryeministror: Gjini, Trimi dhe Hana, të cilët me buzëqeshje pranonin dhuratat nga prindërit e tyre, Ramush dhe Anita Haradinaj.
Këta të fundit, gjatë një bisede për Telegrafin rrëfyen ekskluzivisht ngjarjet që karakterizuan për ta vitin 2017. Bashkëshortja e kryeministrit, prezantuesja e lajmeve në RTK, Anita Haradinaj, e cilësoi si një vit pak të vështirë, por që rezultatet dhe sukseset nuk munguan.
“Me thënë të drejtën pasi një viti shumë të gjatë e të lodhshëm që filloi me arrestimin e Ramushit dhe mbajtjen e tij në Colmar, pastaj me t’u kthyer Ramushi në fund të prillit, filloi menjëherë një maratonë zgjedhjesh që filluan në qershor, ato nacionalet, e pastaj formimi i institucioneve, zgjedhjet komunale me gjithë balotazhet, d.m.th ka qenë një vit me ngjarje përfshirë këtu edhe shumë punë që ka bërë Ramushi në qeveri, prandaj edhe e mirëpresim këtë fundvit të motivuar për shumë punë dhe angazhime në 2018-n”, tha Anita Muçaj Haradinaj për Telegrafin
Ndërkohë, Ramush Haradinaj tha se për të viti 2017 ka shkuar mirë, ndërsa ka cekur në pika të shkurtra sukseset të cilat ka shënuar me qeverinë e tij gjatë kësaj periudhe.
“Ka qenë një vit i mbushur me ngjarje, por që gjithçka ka shkuar mirë. Një vit i sukseseve edhe për Qeverinë, ku ndër të tjera mund të përmend aspektin energjetik, pos që jam zotuar se do të ketë rrymë elektrike gjatë dimrit, i kam siguruar kosovarët se rryma nuk do të shtrenjtohet! Përndryshe jam krenar që me 2017 kemi arritur marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” që siguron investime te kompanisë amerikane prej 1.3 miliardë euro dhe e cila pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës, duke mundësuar që në ndërtimin e saj të punojnë 10 mijë vetë, kurse 500 vetë në punën permanente. Marrëveshje e mbajtur nëpër tavolina plot 18 vjet. E kam procedimin e Ligjit për Prishtinën, që është “mbajtur jashtë” Kuvendit për 18 vjet… Kam vendosur qe me ligj i cili do të votohet në Kuvend, Pallati i rinisë do t’u rikthehet atyre që e ndërtuan me mund e flijime, duke ndarë kafshatën e gojës, pra qytetarëve prishtinas”, tha Ramush Haradinaj për Telegrafin.
Në vazhdimin e bisedës, duke u larguar pak nga politika, arritëm tek të vegjlit e shtëpisë, të cilët po e shijojnë magjinë e festave në gjirin e ngrohtë familjar. Anita tregoi se atmosfera me ta është gjithmonë dhe më festive.
“Besoj festa dhe entuziazmi i natës së vitit të ri është më e bukur dhe interesante kur ka fëmijë përreth. Ata ende ‘besojnë’ në babadimër, prandaj edhe i japin kuptim! Ndërkaq, edhe unë e kam shumë për zemër muajin dhjetor për shkak të festave të fundvitit, dritave, dekorimit”, thotë moderatorja Muçaj-Haradinaj.
Data 31 dhjetor është koha kur të gjithë mblidhen për të kremtuar e për të dhuruar lumturi ndaj njëri tjetrit. Por ku do ta kremtojnë familja kryeministrore natën e ndërrimit të viteve?
“Ne për çdo vit, 14 vite të martesës, çdo vit e presim në Gllogjan bashkë me të gjithë vëllezërit, nuset, fëmijët, edhe atmosfera është shumë e zhurmshme, ngaqë bëhen shumë fëmijë dhe është ndryshe, prandaj edhe fëmijët mezi presin”, tregoi më tej Anita.
Dalëngadalë erdhi edhe fundi i vizitës së fundvitit në familjen Haradinaj, teksa ajo çka të gjithëve u intereson janë edhe dëshirat e fundviti që kanë secili prej anëtarëve të kësaj familje. Gjini, Hana dhe Trimi preferuan t’i mbajnë ‘sekrete’ dëshirat e tyre drejtuar babadimrit, kjo ngase ata besojnë se nëse ato tregohen, dëshirat më pas nuk plotësohen!
Teksa, kryeministri Haradinaj premtoi se 2018-n do ta vazhdojë me shumë punë, të reja, por që sigurisht në radhë të parë vijnë paqja, lumturia dhe harmonia në familje, dhe jo vetëm në atë të tijën, por në çdo familje shqiptare.
“Vitin që vjen uroj që në radhë të parë ta kemi shëndetin, sigurisht dhe paqen e harmoninë në çdo familje. Ndërsa sa i përket premtimeve të mija, viti 2018 do të jetë vit i Trepçës, vit i rritjes ekonomike dhe i punësimit. Do të marrim liberalizimin e vizave, do ta zbatojmë plotësisht MSA-në dhe do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat…Do ta bëjmë edhe ushtrinë e Kosovës”, përfundoi kryeministri Ramush Haradinaj për Telegrafin.
Sakaq, fundin e bisedës e përmbylli zonja e shtëpisë, Anita, me një urim të veçantë për të gjithë shqiptarët.
“Dëshirat e mija për këtë vit është që të kemi shëndet, fat, suksese e mbarësi për të gjithë shqiptarët! Uroj që paqja, qetësia të na gjejnë në secilën shtëpi, ‘ta duam njëri-tjetrin që të mund të ecim përpara”, përfundoi Anita Haradinaj për Telegrafin.
Përgjatë vizitës në familjen kryeministrore, jemi shoqëruar edhe me disa imazhe të veçanta për të parë pak se si është atmosfera e festave të fundvitit në këtë familje.
Bredhi i stolisur, dritat e ndezura dhe dhuratat e shumta, duket se përsosen me detajin më të bukur që plotëson magjinë e festave: atë të buzëqeshjes në secilën prej fytyrave të shtëpisë. /Telegrafi/