Telegrafi

Për festën e Filtër Bajramit, Shoqata “Peja” në New York, ndihmon 410 familje në nevojë

Ndjenja e solidaritetit, humanizmit, ndihmës dhe atdhedashurisë për vendlindjen, për Shoqatën Humanitare “Peja” në New York, nuk ka munguar as për këtë festë të Filtër Bajramit

Me vullneti dhe dëshirën e madhe që sadopak të jenë më afër familjeve në nevojë, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe kësaj radhe, ka ndihmuar 410 familje në asistencë sociale, kategori tjera si veteranët, organizata të personave me nevoja të veçanta dhe kategori tjera.

Përfaqësuesit e Shoqatës “Peja”, kanë bërë të ditur se sot ka filluar shpërndarja e pakove ushqimore për 410 familje sociale, një ndihmë kjo, sipas tyre, modeste që bëhet dy herë në vit nga Shoqata “Peja”.

Me këtë rast, përfaqësuesit e kësaj shoqate, falënderojnë të gjithë anëtarët dhe miqtë e Shoqatës “Peja”, për kontributin e dhënë për këtë iniciativë.

Njëkohësisht, ata falënderuan edhe drejtuesit e Shoqatës humanitare “Bereqeti”, dega në Pejë, për punën vullnetare e të palodhshme, që kjo shoqatë po bën tash e disa vite, në shpërndarjen e këtyre ndihmave në çdo familje në nevojë.

Kurse, zyrtarët e Shoqatës humanitare “Bereqeti”, dega në Pejë, thanë se për festën e Fitër Bajramit do të ndihmohen familjet në nevojë, jo vetëm në Pejë dhe rrethinë, por në numër simbolik edhe disa familje nga Klina, Istogu e Deçan.

Ata bënë të ditur se si çdo vit, edhe këtë vit është organizuar shpërndarja e pakove për festën e Fitër Bajramit, në bashkëpunim me Shoqatën humanitare “Peja”, në New York, dhe numri i familjeve që kanë përfituar nga ky organizim do të jetë 410 sosh.

Përndryshe, Shoqata humanitare “Peja”, në New York, në vazhdimësi ka ndihmuar qytetarët në nevojë në Kosovë, jo vetëm në Pejë dhe rrethinë, por edhe shumë qytetarë në qytete të tjera, ku në fokus ka qenë gjithmonë të ndihmohen familjet në nevojë dhe kategori tjera. /Telegrafi/