Deri më tash në Superligën e Kosovës janë zhvilluar gjashtë xhiro dhe pakënaqësitë e klubeve me referim kanë dalë në pah qysh tash.
"Bordi diskutoi edhe për ndarjen e drejtësisë në ndeshjet e Superligës dhe vendosi që gjyqtarëve t’ua tërheqë vërejtjen për të qenë më të vëmendshëm dhe më korrektë në sjelljet e tyre dhe qasjen në ndeshjet e elitës së basketbollit kosovar", thuhet në njoftimin e FBK-së, të lëshuar të enjten, shkruan sot Koha Ditore.
Këto diskutime kanë ardhur pas ankesave të shumta për referim në ndeshjen derbi të javës së shkuar ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës, të zhvilluar në Prizren. Edhe kryetari i Bashkimit, Shaqir Totaj, që njëherësh është nënkryetar i FBK-së, ditë më parë ka bërë një postim në rrjetin social "Facebook", ku është ankuar në referimin e kësaj ndeshjeje të humbur nga Bashkimi. Të dy ekipet kanë pasur ankesa në ndarjen e drejtësisë dhe për këtë FBK-ja edhe ka marrë masa.