Policia e Maqedonisë ka bërë të ditur se po vazhdojnë përpjekjet e migrantëve nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme, që të kalojnë nëpër territorin e këtij shteti për të vazhduar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar 393 raste të migrantëve, të cilët ilegalisht kanë tentuar të hyjnë në territorin e Maqedonisë. Gjatë muajit qershor ishin 109 raste, ndërsa gjatë muajit maj, 284 raste.
Sipas statistikave të kësaj Ministrie, 224 migrantë janë kapur përgjatë vijës kufitare Maqedoni – Greqi, dhe janë kthyer sërish në territorin e Greqisë.
Policia maqedonase gjatë javës së kaluar ka zbuluar dhe trafikimin e tetë migrantëve nga India dhe Pakistani të cilët ilegalisht kanë tentuar ta kalojnë territorin e Maqedonisë.
Në bazë të ndryshimeve që pësoi vitin e kaluar Ligji për azilin, pas mbylljes së Rrugës Ballkanike, migrantët të cilët ilegalisht hyjnë në Maqedoni nga një shtet i cili është pjesë e BE-së apo NATO-s, duhet që të kthehen sërish në të njëjtin shtet me përcjellje të Policisë.
Përderisa në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Shkup, theksohet se migrantët që vijnë në Maqedoni përmes rrugëve ilegale nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, në mënyrë jolegale depërtohen nga Maqedonia si shtet.
Uranija Piroska nga Komiteti i Helsinkit në Shkup tha për Radion Evropa e Lirë se rënia e interesimit edhe nga mediat për problemet me migrantët në Maqedoni, u hap rrugë për të vepruar trafikantëve.
Ndërkaq, Jasmin Rexhepi nga Organizata joqeveritare, LEGIS thotë se ekipet e organizatës që përfaqëson, për çdo ditë regjistrojnë migrantë të cilët, për çdo ditë tentojnë që t’i kalojnë vendkalimet kufitare, të nxitur nga dëshira për të vazhduar udhëtimin e tyre drejtë vendeve të familjes evropiane.
Sipas të dhënave të Policisë së Maqedonisë, aktualisht në qendrën transitore në Vinojug përgjatë vijës kufitare Maqedoni – Greqi, qëndrojnë 9 migrantë, ndërkohë që në atë të Tabanovës, përgjatë vijës kufitare Maqedoni – Serbi, qëndrojnë 20 migrantë.