Site icon Telegrafi

Për dy ëndrra dhe një realitet

Një autostradë dhe një termocentral nuk janë lajme të jashtëzakonshme në një shtet të zhvilluar dhe që e ka harruar shijen e robërisë. Nuk janë lajme optimiste për një vend që ka infrastrukturë të zhvilluar dhe ndërton rrugë për të përmirësuar cilësinë. Po, janë lajme për një vend që ende lëngon nga lufta, varret e pambyllura, politikat destruktive dhe gjendja sociale.

As opozita nuk është e ndëshkueshme nëse hedh vickla në drejtim të projekteve madhore të kombit: autostrada Morin-Merdar dhe termocentrali, Kosova e Re. As mundësitë e firove në projekte nuk janë të përjashtueshme. Nuk jemi shtet i arrirë dhe nuk prodhojmë vepra të përkryera. E megjithatë, është për mburrje dhe krenari se dy vepra madhore po nisin.

Po, është mburrje dhe krenari. Arsyet? Janë shumë dhe janë, përveç ekonomike, edhe patriotike. Janë ekonomike sepse vendi ynë do të futet fuqishëm në infrastrukturën rrugore rajonale dhe do të bëhet pjesë interesi e biznesit të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Rrugët moderne sjellin edhe kapitalin dhe paranë. Pa rrugë ne vetëm mund t’i ëndërrojmë ato.

Edhe energjia. Ajo është gjaku i ekonomisë, guximit për investime dhe sigurisë. E të dyja bashkë janë bosht i ecjes së sigurt drejt një të ardhme që jep shpresa, por jo më nga ëndrrat, por nga realitetet e reja që preken me dorë.

Edhe patriotike. Jo? Unë mendoj që po. Nëse dje lufta fizike ka qenë patriotizëm, sot është zhvillimi i vendit. Guximi për të bërë vepra të mëdha, për të vënë themele veprash që peshojnë me dekada, që janë shumë më shumë jetëgjatë sesa koha qeverisëse e një partie apo individi. Ky është vizion i guximshëm. Sado që do të ketë mendime kundërshtuese. Do të ketë, me a pa shkas, vërejtje nga të gjithë ne. Veprat e mëdha kanë përherë përcjelljen e skeptikëve. Fundja, çdo luftë, në kohë të vërtetë lufte a paqe, ka nënproduktet e saja që meritojnë kritikë. Por, nëse shohim tej interesit të ditës, atëherë do të peshojmë me interesat e kombit. Rezultati do të jetë i njëjtë për të gjithë ne.

Kombet që kanë vetëbesim dhe e duan vetveten ndërmarrin hapa gjigandë në çdo kohë dhe përballë çdo situate. Njëherë e mirë duhet ta heqim nga mentaliteti jonë se nuk kemi fuqi të përballemi me vepra të mëdha. Duhet ta kuptojmë se jemi Zot të Shtëpisë Sonë. Se as një mekanizëm i huaj nuk duhet të na mbajë më përdore dhe të na tregojë çdo ditë se çfarë duhet të bëjmë.

Është koha e dëshmimit. Kur ne duhet të tregojmë se e kemi përnjëmend ndërtimin e shtyllave themelore të shtetit dhe të zhvillimit të tij. Është koha kur ne duhet të ndërtojmë konturat e një vendi të rëndësishëm në rajon që peshon në çdo aspekt. Vend që do të ketë peshë në fushat më të ndjeshme të së sotmes dhe së ardhmes: rrugëve dhe energjisë.

Këta sektorë të ekonomisë janë çelës i futjes në mesin e vendeve të zhvilluara dhe të rëndësishme në botën tonë që na rrethon. Dikush duhej t’i niste ato. Dhe dikush duhej të guxonte. E për mua nuk është fort me rëndësi se kush. Besoj as për ju dhe opozitën politike. S’ka rëndësi as nga cili fshat do të bije rruga e Kombit. Një ditë këto do të harrohen. Sepse të gjitha do të udhëtojmë më mirë, më lehtë dhe do të kemi profitet tona individuale dhe kombëtare.

Ka më shumë se dy dekada që në Kosovë vepra të mëdha nuk janë bërë. Ndoshta edhe më shumë se kaq. Ka tri dekada që Kosova përtyp atë nivel zhvillimor që kishte dikur dhe sillet në mjegull pa pasur, ndoshta as guxim, e vizion për të dalë në dritën e diellit dhe për t’i përvjelë mëngët. Nëse na pëlqen agonia dhe masim me peshore ari çdo vepër të madhe, kurrë nuk do të kemi guxim të hapërojmë. Për të bërë një hap të madh duhet guxuar, pavarësisht peshës dhe fjalëve, por edhe pasojave anësore.

Ka shumë vite që vendi ynë nuk ka shënuar ndonjë moment të kthesave të rëndësishme zhvillimore. E ato po nisin këtë vit. Vetëm dy vite pas pavarësisë së vendit. Sigurisht që frytet nuk do të korren shpejt. Sigurisht se mirëqenia jonë nuk do të ngritet radikalisht dhe të bëhemi të pasur brenda natës. Sigurisht që mirëqenia jonë ekonomike do të vazhdojë edhe për një kohë të mos jetë e asaj shkalle që ne e duam. Por, tani kemi arsye të shpresojmë, pa ëndërruar. Sepse, për të ndërtuar shtëpinë e re, duhen themele. Themelet, sipas traditës, kërkojnë një fli. Flijimi përherë është një çmim i simbolizuar. Sepse po bëhet një vepër e pa rëndomtë. Të pa rëndomtat kërkojnë vepra sakrifikuese. Por fundi është vlerë e pallogaritshme për të mirën e të gjithë neve.

Dhe, në fund, paramendojeni veten tuaj në Kosovën e pas 3 a 4 vitesh. Duke udhëtuar nëpër një autostradë moderne. Kthejeni kokën kah fushat e Kastriotit dhe shihni një Termocentral modern. Shikojini qytetet dhe fshatrat që shndrisin vazhdimisht, si yje të pashuara. Por, kujdes sepse autostrada është e mbushur deng. Në vendin tonë hynë e dalin me dhjetëra, me qindra e mijëra vetura, maune. Kalojnë edhe transit. Ky është vendi ynë i vogël që peshon rëndë në ekonominë e rajonit dhe më gjerë.

Kjo nuk është më ëndërr…

Exit mobile version